“Bandat i dogjën makinën dhëndrit të Qazim Sejdinit”, përplasje mes policisë dhe deputetit demokrat

Shqipëria

“Bandat i dogjën makinën dhëndrit të Qazim Sejdinit”, përplasje mes policisë dhe deputetit demokrat

Më: 1 gusht 2018 Në ora: 16:01
Ervin Salianji

Në rubrikën e sotme “Opinion” në studion e lajmeve në News24, deputeti i Partisë Demokratike, Ervin Salianji foli më tepër në lidhje me denoncimet e bëra dje nga qyteti i Elbasanit.

“Djegia e makinës së dhëndrit të kryebashkiakut Qazim Sejdini dhe përplasja me armë në mes të qytetit,” janë dy ngjarjet që sipas tij janë fshehur nga policia.

Por teksa deputeti vijonte denoncimin dhe akuzat, Ministria e Brendshme reagoi mes emisionit për të sqaruar ngjarjen që Salianji pretendon se ka ndodhur në Elbasan.

Sipas policisë përplasja ka ndodhur në Dajt të Tiranës dhe janë njoftuar edhe drejtoritë vendore të policive fqinje Durrës, Elbasan e Lezhë.

“Nuk ka patur asnjë krismë arme në Elbasan, në ditën që pretendon deputeti, ka patur vetëm një telefonatë në Tiranë për grabitje mjeti me armë dhe për këtë janë njoftuar policitë fqinje,” lexoi gazetarja Marsela Karapanço në studio.

Në këto momente tonet u ndezën në studio, ku dhe deputeti Salianji goditi tavolinën teksa përgënjeshtronte deklaratën e policisë.

Njoftimi i policisë lidhur me ngjarjen

“Njoftimi i dytë i publikuar në faqen zyrtare në 31 korrik 2018 sqaron rrethanat e ngjarjes së ndodhur një ditë më parë, ku bëhet fjalë për një telefonatë që pretendon vjedhjen e mjetit me armë, por nuk ka patur asnjë të shtënë në Elbasan: (Më datë 30.07.2018, shtetasi D.Sh., ka telefonuar policinë dhe ka kallëzuar se në aksin rrugor “Tiranë – Dajt”, dy persona të paidentifikuar nën kërcënimin e armës i kanë marrë mjetin. Në lidhje me këtë njoftim është ngritur grup hetimor për sqarimin e rrethanave të ngjarjes dhe vërtetësinë e informacionit, si dhe janë njoftuar DVP Elbasan, Durrës, Lezhë)”

Çfarë tha deputeti Salianji për dy ngjarjet

“Dy ngjarjet që përmenda, më të rëndat, djegia e makinës e dhëndrit e kryebashkiakut Sejdini dhe përplasje me armë mes dy makinash. Jo vetëm që janë të pazbuluara si ngjarje por ka dhe tentativë për t’i fshehur sikur çdo gjë është normale. Më kanë thënë që ka ndodhur tek Kalaja. Qytetarët e Elbasanit i heqin mbi kurriz çdo ditë këto ngjarje. Për shkak se Edi Rama është në krye të një sistemi ku krimi promovohet, duket që krimi e pushteti terrorizojnë qytetet për të marrë çdo para. Policia fsheh provat e krimit. Atje marrin zvarrë policinë e nuk flet njeri. Gjuajnë me armë e s’thotë gjë njeri. Bandat në Elbasan mbështetet politikisht. Ne i kemi provuar, madje dhe policia i aprovon, por në komunikata për shtyp nuk flitet për emrat që i bëjnë këto ngjarje, dhe nuk burgosen. Policia i pranon se kanë ndodhur, por nuk tregon se për kë bëhet fjalë. Si ka mundësi që nuk dënohet asnjë. Ka aq persona të përfshirë në krime që janë pjesë e policisë së Shtetit sa nuk kanë fund. Policia akoma nuk po merr asnjë masë pavarësisht denoncimeve të bëra vazhdimisht.”

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat