Veliaj në Laprakë: Po realizojmë gjithçka që kemi premtuar

Shqipëria

Veliaj në Laprakë: Po realizojmë gjithçka që kemi premtuar

Më: 2 gusht 2018 Në ora: 12:02
Erion Veliaj në Laprakë

Bashkia e Tiranës po punon për rikualifikimin urban të një blloku të ri banimi në kryeqytet, kësaj radhe në Laprakë. Në këtë bllok banimi janë ndërtuar rrugët lidhëse midis rrugëve “Marubi” dhe “S. Bruzi”, si dhe është kryer sistemimi i kanalizimeve të ujërave të zeza, të ujërave të shiut, ujësjellësi, ndriçimi etj.

Kryetari i Bashkisë së Tiranës, Erion Veliaj inspektoi ecurinë e punës, së bashku me deputetin e PS, Ulsi Manja. Ai theksoi se ky është një tjetër premtim i mbajtur për qytetarët të zonës pranë Spitalit Ushtarak. “Jam jashtëzakonisht i kënaqur nga mënyra se si kanë ecur punimet në këtë zonë me rrugët “Marubi”, “Bruzi” dhe rrugicat që i lidhin ato. Mbaj mend se kam qenë ekzaktësisht përpara 3 vitesh këtu, në një familje këtu afër, të cilët më thanë: “Kryetar, do të votojmë për ty, por rrugës tonë s’ka për t’i ardhur radha në mandatin e parë”. Ende s’ka mbaruar mandati i parë, jemi në vitin e 3-të dhe po mbajmë premtimet që kemi dhënë në fushatë, për t’u siguruar se bëjmë gjithçka kemi premtuar. Përkundrazi, u bë jo vetëm rruga që u premtua, por i gjithë blloku”, tha Veliaj.

Paralelisht me përfundimin e rifiniturave të fundit të rrugës, po vijon puna edhe me institucionet e tjera për zhvendosjen e disa shtyllave. “Kemi ende disa rifinitura, do na pasojë OSHEE-ja, telekomi gjithashtu, për të zhvendosur shtyllat respektive në vendet që tashmë ua kemi lënë gati, e kushdo që jeton në Njësinë 11 si në mes të Bllokut, të thotë: Po, unë jam krenar që jam nga Tirana”, deklaroi Veliaj.

Kryebashkiaku tha se bashkëpunimi Qeveri-Bashki në këto vite ka rezultuar histori suksesi, duke thyer rekord jo vetëm në procesin e legalizimit të ndërtimeve informale, por edhe në urbanizmin e këtyre zonave. “Qeveria ‘Rama’ dhe kjo bashki do të mbahen mend për faktin që kanë thyer rekord: njëra për legalizimet, tjetra për urbanizimet. Filozofia jonë është: qeveria është një hap përpara me legalizimet, pra u bën letrat dhe u jep të drejtën e pronësisë kujtdo që ka vendosur të vendoset në Tiranë, ndërkohë më pas vjen bashkia për të urbanizuar zonën. Them se të dyja palët, qeveri-bashki, kemi arritur një histori suksesi. Ndaj, besoj sot kjo lagje ngryset me një vlerë më të madhe”, theksoi Veliaj.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat