Qeveria raporton me ulje rastet e pastrimi të parave

Shqipëria

Qeveria raporton me ulje rastet e pastrimi të parave

Më: 3 gusht 2018 Në ora: 09:47
Arlind Gjokutaj

Raportet e Aktiviteti të Dyshimtë (RAD), për vitin 2017, të përgatitura nga Drejtoria e Përgjithshme e Pastrimit të Parave (DPPPP), përcaktojnë se të dhënat e ofruar nga institucionet shqiptare për fenomenin e pastrimit të parave janë kontradiktore. Kështu Banka e Shqipërisë, në vitin 2014 tregon 822 raste të pastrimit të parave, ndërsa në vitin 2017 ky numër është ulur, në afro 686 raste.

Po ashtu edhe shoqëri të ndryshme transfertash, kanë raportuar për vitin 2016, 209 raste të pastrimit të parave, ndërsa në vitin 2017, ky numër është ulur në afro 165 raste. Duket se edhe procesi i fillimit të “Vettingut” ka ndikuar në këto raportime.

Pasi siç raporton edhe Departamenti Amerikan i Shtetit, me fillimin e procesit të “Vettingut” apo edhe të shqyrtimit të legjislacionit për deklarimin e pasurive, shumë individë dhe njerëz të pushtetshëm, i transferuan kapitalet e tyre jashtë vendit. Në përgjithësi, vendet e preferuara ishin “Parajsat Fiskale”, ato vende në të cilat ruhet anonimati i burimit të të ardhurave.

Gjithashtu, një problem i rëndësishëm për fenomenin e pastrimit të parave, kanë qenë edhe bizneset e llojit “Call Center”, me një shtrirje të gjerë në Shqipëri. DPPPP-ja shqiptare ka qenë shumë e angazhuar për të forcuar kontrollin mbi këto subjekte dhe për të parë, nëse aktiviteti i tyre është i lidhur me pastrimin e parave. Sipas DPPPP, “Shoqëria A me objekt veprimtarie “call center”, në llogarinë e saj në një nga bankat që operojnë në vend që në fillimet e aktivitetit, kishte përfituar disa transferta të dërguara nga vendet e BE-së, nga shoqëri të regjistruara në vende parajsa fiskale”.

“Task-Forca”

Në linjë me objektivat e vendosur nga Qeveria Shqiptare për çrrënjosjen e fenomenit të kultivimit dhe trafikimit të kanabisit, në VKM nr. 248 datë 29.03.2017 “Për miratimin e planit të veprimit kundër kultivimit dhe trafikimit të kanabisit 2017 -2020”, është parashikuar që DPPPP të jetë pjesë e Task-Forcës Qendrore (TFQ) të ngritur për këtë qëllim.

Veprimi pro aktiv i DPPPP drejtpërdrejtë në zbatim të këtij plan veprimi konsiston në rritjen e vëmendjes ndaj rasteve të dyshimta që lidhen me përdorimin e parasë fizike, ndërgjegjësimin e subjekteve raportuese për rritje të vigjilencës për transaksione të mundshme për tu përdorur si instrument i paligjshëm në këtë drejtim, si dhe forcimin e mëtejshëm të bashkëpunimit ndërinstitucional me organet ligj zbatuese dhe ato të inteligjencës.

Në vlerësim të këtij procesi DPPPP ka adresuar kërkesa të posaçme për të gjitha subjektet bankare, e jo vetëm, për rritje të vëmendjes e vigjilencës ndaj transaksioneve të kryera për llogari të partive politike, transaksione të tjera, kryesisht atyre me para në dorë, të cilat mund të kishin synim shitblerjen e votës apo ndaj transaksioneve me anomali në llogari apo në favor të kandidatëve për deputet. Sipas DPPPP, nevojitet zgjerimi i aksesit në disa databaza shtetërore. Edhe gjatë 2017, kanë vijuar takimet me Grupin Teknik Ndër-institucional të Punës për parandalimin e pastrimit të parave dhe financimit të terrorizmit, nën drejtimin e Drejtorit të Përgjithshëm të DPPPP.

Në këto takime kanë marrë pjesë ekspertë të: Ministrisë së Financave dhe Ekonomisë Ministrisë për Evropën dhe Punët e Jashtme, Ministrisë së Punëve të Brendshme, Ministrisë së Mbrojtjes, Prokurorisë së Përgjithshme, Bankës së Shqipërisë, ILDKPKI, Shërbimit Informativ Shtetëror dhe Drejtorisë së Përgjithshme të Policisë së Shtetit. Ndër çështjet kryesore të trajtuara janë: bashkëpunimit ndërinstitucional, ndryshimet në ligjin për koncesionet PPP, raportimi mbi aktivitetet ndër kombëtare, vlerësimi kombëtar i riskut të PPPve, reforma në drejtësi, etj.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat