Festa e Birrës në Korçë, eventi më i madh festiv veror

Shqipëria

Festa e Birrës në Korçë, eventi më i madh festiv veror

Më: 4 gusht 2018 Në ora: 11:53
Pamje nga Festa e Birrës në Korçë

Korça po përgatitet për të mirëpritur Festën e Birrës, eventi më i madh festiv veror.

Festa e Birrës, e kthyer tashmë në traditë, është një ngjarje mjaft e rëndësishme përsa i përket tërheqjes së vizitorëve, ndërsa nga viti në vit ka promovuar dhe përforcuar imazhin turistik të rajonit.

Nga data 8-12 gusht do të jenë 5 netë befasuese, 2 skena, emrat më në zë të muzikës dhe shumë surpriza.

Ndërkohë, stafi organizativ në bashkinë e Korçës, i kryesuar nga Kryetari i Bashkisë, Sotiraq Filo, ka vijuar punën për organizimin e kësaj Feste.

Mbi 100 000 persona pritet të vizitojnë Festën e Birrës në 5 netët e organizimit të saj (8-12 gusht).

Kryesisht numri i madh i vizitorëve në festë i atribuohet mënyrës së organizimit të saj me një program muzikor të shkëlqyer me emrat më të njohura të muzikës shqiptare dhe jo vetëm.

Po ashtu gjatë 5 netëve të organizimit të Festës së Birrës promovohet një gamë e gjerë birrash vendase dhe të huaja.

Festa e Birrës nuk është thjesht një festë, por konsiderohet si eventi më i madh veror në Shqipëri.

Përgjatë 5 ditëve i gjithë qyteti i Korçës do të jetë në festë. Superkoncerte, birrë, gatime tradicionale, pranë Stadiumit Skenderbeu dhe festë tek Pazari i Vjetër… Kështu e kanë menduar organizatorët Festën e Birrës 2018.

Festa e Birrës në Korçë u themelua në vitin 2007, si një iniciativë e Bashkisë Korçë.

Festivali është nderuar me çmimin e Turizmit nga Ministria e Kulturës në vitin 2010, për shkak të influencës që pati në rritjen e numrit të turistëve në rajon. /ATSH

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat