Zinxhiri i borxheve brenda shtetit shënon kulmin

Shqipëria

Zinxhiri i borxheve brenda shtetit shënon kulmin

Më: 8 gusht 2018 Në ora: 21:52
Ilustrim

Ndërmarrjet e ujësjellësave kanë borxhe në rritje ndaj OSHEE, e cila nga ana e saj, ka borxhe në rritje ndaj KESH, ndërsa qeveria qendrore dhe bashkitë kanë shtuar detyrimet e prapambetura ndaj kontraktorëve privatë.

Borxhet e ndërmarrjeve jobuxhetore ndaj Operatorit të Shpërndarjes së Energjisë Elektrike OSHEE, shënuan një rekord historik në prill të këtij viti, ndërkohë që OSHEE nga ana e saj la pa paguar dy të tretat e detyrimeve për blerjen e energjisë elektrike nga Korporata Elektroenergjetike Shqiptare. Paralelisht me borxhet në rritje brenda ndërmarrjeve nën pronësi publike, qeveria qendrore dhe bashkitë kanë shtuar detyrimet e prapambetura.

Dy të dhënat janë tregues i përkeqësimit të administrimit të ndërmarrjeve buxhetore vetëm pak vite pasi qeveria kreu një proces të kushtueshëm shlyerjesh detyrimesh mes ndërmarrjeve nën pronësi publike. Mospagesat në rritje nga një grup konsumatorësh të energjisë të quajtur “ndërmarrje jobuxhetore” janë gjithashtu tregues i gjendjes së keqe të administrimit të këtyre ndërmarrjeve, të cilat më së shumti janë ujësjellës dhe kanalizime, vetëm dy vjet pas të ashtuquajturës reformë administrative dhe territoriale, e cila supozohej se do të përmirësonte situatën.

Të dhënat katërmujore nga tregu i energjisë, të publikuara së fundmi nga Enti Rregullator i Energjisë, [link], tregojnë se borxhet e ndërmarrjeve jobuxhetore ndaj OSHEE-sëarritën në 9.6 miliardë lekë, (73 milionë euro) me një rritje prej 1.7 miliardë lekësh në krahasim me dhjetorin 2017. Borxhet e ndërmarrjeve jobuxhetore patën arritur kulmin në dhjetor 2013, kur një periudhë e gjatë keqmenaxhimi i çoi ato në 5 miliardë lekë. Në vitin 2014, qeveria e re ndërmorri masa për të ulur borxhet mes kompanive duke paguar një pjesë të këtyre borxheve. Si pasojë e këtyre veprimeve, borxhet u ulën në 2.9 miliardë lekë në dhjetor 2015. Por që nga ajo kohë, borxhet u trefishuan, duke kapërcyer edhe rekordin e mëparshëm negativ të vitit 2013. Shifra prej 9.6 miliardë lekëve e regjistruar në prill 2018 është gati dyfish më e lartë se sa gjendja e borxhit më 2013.

OSHEE nuk ka qenë në gjendje të mbledhë as faturat e papaguara të klientëve buxhetorë, konkretisht faturat e konsumit nga institucionet e shtetit, të cilat paguhen drejtpërsëdrejti nga buxheti i shtetit. Qeveritë shqiptare janë përballur disa herë me mungesë të thellë disipline në shpenzimet buxhetore, ku shumë institucione vendosnin të mos paguanin faturat e ujit apo energjisë elektrike kur gjendeshin ngushtë. Në vitin 2013, gjendja e borxhit ndaj OSHEE të zyrave të shtetit shënoi kulmin në masën 3.9 miliardë lekë. Qeveria e re imponoi disiplinë fiskale, përfshirë mospagimin e pagave të punonjësve në rast se nuk ishte shlyer fatura e energjisë elektrike dhe për rrjedhojë, borxhet e akumuluara ranë në 1.9 miliardë lekë në dhjetor 2015. Por gjatë viteve 2016 e 2017 borxhet e këtyre institucioneve filluan të rriten sërish duke arritur në 3 miliardë lekë në prill të këtij viti.
Probleme me faturat
Ndërmarrjet e ujësjellësave kanë pësuar një rritje të ndjeshme të energjisë elektrike të faturuar nga OSHEE gjatë vitit të kaluar, sipas raportit vjetor të Entit Rregullator të Ujit. Llogaritë e ERRU tregojnë se sektori i ujësjellësve u faturua për 2.3 miliardë lekë energji të konsumuar më 2016 dhe 2.5 miliardë më 2017 me një rritje prej 8.5%. Kjo rritje e faturimit të energjisëështë interpretuar me shkaqe të ndryshme nga ndërmarrjet, bën të ditur ERRU, por kompania e Ujësjellësit dhe Kanalizimeve të Durrësit deklaroi te ERRU se është përballur me një mbifaturim në masën e 1.3 milionë kilovatorëve nga ana e OSHEE, për të cilën ka bërë ankesë.

OSHEE nuk i paguan paratë KESH

Korporata Elektroenergjetike Shqiptare është kompania që realizon prodhimin e energjisë elektrike nga hidrocentralet e mëdhenj në lumin Drin. Korporata po përjeton atë që mund të rezultojë viti i dytë më i mirë në të gjitha kohërat, në rast se prurjet veçanërisht të larta të ujit të regjistruara në gjashtëmujorin e parë vijojnë edhe për pjesën e mbetur të vitit. Megjithatë, KESH thotë se nuk ka marrë pjesën më të madhe të të ardhurave që i ka faturuar OSHEE-së për gjashtëmujorin e parë të këtij viti. Në të dhënat kryesore financiare të publikuara për gjashtëmujorin e parë, KESH njoftoi se kishte faturuar te OSHEE 3 miliardë lekë energji të shitur, por nga këto, “2 miliardë lekë nuk janë arkëtuar akoma”.

Fondi Monetar Ndërkombëtar ka kërkuar prej kohësh “reforma në qeverisje dhe ristrukturim financiar ndërsa në raportin e vet të fundit të publikuar në maj vlerëson se borxhet e qeverisë qendrore dhe të bashkive duket se u dyfishuan gjatë vitit 2017 në krahasim me vitin 2016. Qeveria shqiptare nuk raporton rregullisht detyrimet e prapambetura të akumuluara por FMN vlerëson se këto detyrime u rritën në 27 miliardë lekë (rreth 200 milionë euro) në vitin 2017. 

Njësitë e qeverisjes vendore kanë borxhe të akumuluara në masën 9.3 miliardë lekë ndërsa qeveria qendrore ka 17.4 miliardë lekë.
Problemi i akumulimit të detyrimeve të prapambetura u shfaq veçanërisht në vitin 2013, kur qeveria e re shpalli se kishte identifikuar qindramilionë euro fatura të papaguara nga qeveria paraardhëse. Për të shlyer këto detyrime, qeveria e rriti borxhin publik me mbi 1.5 miliardë euro, nga të cilat, rreth 500 milionë shkuan për detyrime të prapambetura. Por pavarësisht ngritjes së shqetësimeve, vetëm dy vjet më vonë, në vitin 2016, qeveria duket se filloi të akumulojë detyrime të reja të prapambetura, të cilat u shtuan ndjeshëm më 2017./BIRN

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat