Ish-ministrja kundër ndarjes së Kosovës, godet Ramën: Vepron sikur po drejton Amerikën

Shqipëria

Ish-ministrja kundër ndarjes së Kosovës, godet Ramën: Vepron sikur po drejton Amerikën

Më: 10 gusht 2018 Në ora: 21:37
Klajda Gjosha dhe Edi Rama

Ish-ministrja e Integrimit Klajda Gjosha, përmes një statusi në ‘Facebook’ thekson se Ballkani ka qenë dhe vazhdon të mbetet një vatër e nxehtë, dhe epiqendër për lindjen e konflikteve.

Teksa shprehet kundër ndarjes apo rishpërndarjes së kufijve, deputetja e LSI-së nënvizon faktin se Ballkani kërkon njerëz vizionar që në shekullin ku ne jetojmë të mos mendojnë për këto çështje.

Po ashtu Gjosha pohon se çështjet në Ballkan nuk trajtohen dot me burokraci apo me disa arritje imagjinare në cv-të e tyre.

Ajo sulmoi indirekt Kryeministrin Rama duke thënë se Ballkani nuk ka nevojë për kryeministria që veprojnë sikur po drejtojnë Amerikën.

REAGIMI I KLAJDA GJOSHËS

Ballkani ka qenë dhe vazhdon të mbetet një vatër e nxehtë, epiqendër e lindjes së konflikteve dhe ku termi stabilitet asnjë herë nuk ka marrë kuptimin e duhur.

Ndër vite është dashur që fuqitë e mëdha të ushtrojnë presionin por dhe mbështetjen e tyre në mënyrë që të arrihej deri diku një lloj paqeje e brishtë, mes vendeve që gjithmonë kanë pasur probleme etnike, territoriale e që jo pak herë kanë rezultuar në luftra të përgjakshme.

Çështjet në Ballkan nuk trajtohen dot me burokraci dhe teknikalitete, as me njerëz që kërkojnë të shtojnë disa arritje imagjinare në cv-të e tyre dhe aq me pak me ata që mendojnë se të jesh kryeministër i një vendi ballkanik do të thotë të veprosh sikur drejton Amerikën!

Ballkani kërkon njerëz vizionar që në shekullin ku ne jetojmë të mos mendojnë për ndarje apo rishpërndarje kufijsh por mbi çdo gjë tjetër për gjetjen e vlerave të përbashkëta, bashkëpunimin ekonomik pa pengesa dhe respektimin e të drejtave të njeriut në cilindo vend ku ata jetojnë.

BE dhe SHBA, si partner të pazëvendësueshëm strategjik, duhet të jenë pjesë e zgjidhjes së problemeve me njerëz që njohin historinë dhe mentalitetin ballkanik. Për të gjithë ne është jetike mbështetja e tyre e sinqertë, si udhërrefyes te perspektivës tonë euro atlantike. Ballkani i izoluar në vetvete dhe me lidera që mendojnë të ruajnë vetëm pushtetin dhe status quo-n e tyre, duke shkelur çdo prioritet kombëtar e rajonal, mund të kthehet shumë shpejt në një rajon që vë në rrezik stabilitetin dhe sigurinë europine!

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat