I mbetur jetim dhe pa të afërm, ky është Albi, një nga 3 djemtë e familjes Zykaj që i shpëtoi masakrës së kushëririt

Shqipëria

I mbetur jetim dhe pa të afërm, ky është Albi, një nga 3 djemtë e familjes Zykaj që i shpëtoi masakrës së kushëririt

Më: 11 gusht 2018 Në ora: 17:04
Albi Zykaj

Albi Zykaj, 18-vjeç, është një nga tre djemtë e familjes Zykaj në Resulaj të Selenicës i cili i shpëtoi masakrës që kreu një ditë më parë kushëriri i tij, Ritvan Zykaj, i arrestuar tashmë nga policia. Djali i Besim Zykajt punonte në një restorant në Vlorë dhe kjo e shpëtoi atë nga plumbat e killerit gjakftohtë. Krahas tij kanë shpëtuar edhe dy djemtë e xhaxhait të tij, Azem Zykaj, Falkao dhe Ariel, 24 dhe 19 vjeç, të cilët gjithashtu nuk ndodheshin në banesë në momentin e masakrës.

Në lot dhe me dhimbje, Albi u ka dhënë lamtumirën e fundit sot 8 familjarëve të tij, mes të cilëve babait Besimit, nënës Vasilika, vëllait Ledion, motrës Sara, gjyshit Demir e gjyshes Perri si dhe xhaxhait Azem e bashkëshortes së këtij të fundit, Afërdita. Albi ka mbetur jetim dhe pa të afërm. Vetëm 18-vjeç do t'i duhet të përballet me vështirësitë e një jetimi të shkaktuar nga dora kriminale e kushëririt të tij. Siç duket edhe në këtë video të Report Tv, Albi ka tentuar të flasë për mediat për të përcjellë një mesazh, por nuk është lejuar nga një i afërm i tij i cili e ka tërhequr për krahu.   

Tetë anëtarë të kësaj familje u ekzekutuan nga 24-vjeçari Ritvan Zykaj me armë zjarri kallashnikov. Mes viktimave janë edhe tre gra e dy fëmijë. Pas 12 orësh në arrati, policia arrestoi orët e para të mëngjesit të sotëm autorin e kësaj masakre. Vrasësi nuk bëri rezistencë përpara policisë duke u dorëzuar rreth orës 05:00 të mëngjesit. Ai ka deklaruar përpara grupit hetimor se i vrau kushërinjtë pasi e akuzonin se iu kishte vjedhur pulat. Edhe pse ka kryer një masakër të padëgjuar më parë në vendin tonë, Ritvan Zykaj nuk ka shprehur aspak pendesë, por ka kërkuar të mbrohet nga një avokat.  

Emrat e viktimave:

1- Demir Zykaj, 75 vjeç (Vellai i gjyshit të autorit)
2- Perrie Zykaj, 78 vjeç, (Gruaja e Demirit)
3- Besim Zykaj, 42 vjeç (Djali i demirit)
4- Vasilika Zykaj 40-vjeç, (Gruaja e Besimit)
5- Sara Zykaj, 15 vjeç (Vajza e Besimit)
6- Ledjon Zykaj, 8 vjeç (Djali i Besimit)
7- Azem Zykaj 49-vjeç (Djali i Demirit)
8- Afërdita Zykaj 47-vjeç (Gruaja e Azemit)

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat