Përfaqësuesi i OSBE, në Tiranë për Reformën Zgjedhore

Shqipëria

Përfaqësuesi i OSBE, në Tiranë për Reformën Zgjedhore

Më: 16 gusht 2018 Në ora: 09:19
Përfaqësuesi i OSBE, në Tiranë për Reformën Zgjedhore

Gjatë takimit të djeshëm të Mark Pritchard me përfaqësues të partive politike diskutohet reforma zgjedhore Petrit Vasili: Shitblerja e votës problem për demokracinë; Fatmir Mediu: Opozita nuk ka qëndrim unik

OSBE ka zhvilluar ditën e djeshme një takim me përfaqësues të partive politike në Tiranë, ku është diskutuar për reformën zgjedhore. Në fokus të këtyre takimeve ishin zhvillimet politike aktuale në Shqipëri, sistemin e drejtësisë, si pengesa kryesore në zhvillimin e zgjedhjeve lokale. Kryetari i Grupit Parlamentar të LSI-së Petrit Vasili gjatë takimit të djeshëm me Mark Pritchard, përfaqësues i posaçëm i OSBE për Europën Juglindore dhe Ambasadorin Andreas Nothelle, nga Asambleja Parlamentare e OSBE-së, tha se është e pamundur që të realizohen zgjedhjet vebndore sipas ndryshimeve të parashikuara. Po ashtu, Vasili u ndal edhe te fenomeni i shitblerjes së votave, që sipas tij është prezent në vendin tonë. “Po i afrohemi muajit shtator dhe në qershorin që vjen kemi zgjedhje. Të bësh ndryshime në sistemin zgjedhor e të realizosh zgjedhje sipas atyre ndryshimeve duhet kohë, sepse duhet të trajnohen mirë e siç duhet njerëzit, qe është diçka që s’realizohet dot për zgjedhjet lokale. Duhet zgjidhur problemi i shitblerjes së votës sepse përmes tyre del një pushtet i korruptuar, media e kapur, siç e kemi tani, dhe problemi nuk është më thjesht i partive politike, por shitblerja e votës është një problem kërcënues për demokracinë. OSBE duhet t’i adresojë gjërat në mënyrë më të drejtpërdrejtë’’. Kreu i LSI-së, gjatë kësaj bisede tha gjithashtu, se duhet të luftohen këto fenomene dhe të zbatohen sa më parë rekomandimet e OSBE për reformën zgjedhore. “Ne kemi që në 2016 që kemi bërë propozimet tona në tavolinën e komisionit, se si mund të luftohen këto gjera, por nuk janë marrë parasysh. Roli i LSI-së në të ardhmen do të jetë që të shtyjë për realizimin sa më parë të Reformës Zgjedhore dhe implentimin e rekomandimeve të OSBE/ODIHR për zgjedhjet”, tha Vasili. Ndërkaq, delegacioni i OSBE-së ka pasur një takim tjetër në selinë e PD-së ku është diskutuar problemi i reformës në drejtësi dhe i asaj zgjedhore. Po ashtu është zhvilluar një takim me ish-kryeministrin Sali Berisha ku ka qene i pranishëm edhe Famir Mediu, kreu i PR-së dhe përfaqsues të tjerë nga opozitës.

Mungesa e Kushtetueses

Pas takimit, kreu i Partisë Republikane, Fatmir Mediu, në një prononcim për “Shekulli” tha se mungesa e Gjykatës Kushtetuese i jep kontroll absolut qeverisë në jetën politike dhe ekonomike në vend, ndërsa sqaron më tej, se një gjykatë e kontrolluar nga politika pengon procesin normal të zgjedhjeve. “Pa Gjykatë Kushtetuese dhe pa Gjykatë të Lartë dhe ndoshta së shpejti pa Gjykata Apeli është një situatë e paprecedentë dhe e qëllimshme, për t’i dhënë kontroll absolut qeverisë në kontrollin e jetës politike dhe ekonomike në vend. Nëse gjykata është e kontrolluar politikisht, atëherë nuk ka asnjë shans dhe asnjë mundësi që të kesh një proces normal, sepse në fund fare është ajo që vendos”, tha Mediu. Sipas tij, opozita nuk ka një qëndrim të qartë për reformën zgjedhore, e cila pritej të bëhej i ditur në mbledhjen e komisionit të djeshëm,. “Kjo mbledhje ishte një vizitë informuese, por në kuadër të këtyre diskutimeve pritej që opozita të kishte një qëndrim të qartë se çfarë do të bëjë. OSBE-ja ka ofruar asistencë teknike, por nuk ka një qëndrim të qartë dhe të unifikuar të opozitës për reformën zgjedhore. Kjo ndodh, sepse ende nuk ka përfunduar procesi i konsultimeve. Tani jemi në formën e debatit të çështjeve dhe në takimin e fundit, kemi kërkuar që përfaqësuesit e opozitës, në komisionin “ad hock” të reformës zgjedhore të shprehin para grupit të deputetëve dhe partisë përkatëse qëndrimet për reformën”.

Reforma në drejtësi

Ndërkaq në takimin me zv.kryeministren Senida Mesi, Përfaqësues i Posaçëm i OSBE-së Mark Pritchard, u interesua në mënyrë të veçantë për procesin e integrimit evropian të Shqipërisë dhe ecurinë e reformave thelbësore si ajo në drejtësi. Znj. Mesi nënvizoi faktin se ato duhet të thellohen dhe përshpejtohen për të mirën e vendit dhe shqiptarëve, duke kërkuar, jo vetëm angazhimin e mazhorancës, por njëkohësisht edhe të opozitës. Në kuadër të reformës në drejtësi, Zëvendëskryeministrja Mesi u konfirmoi përfaqësuesve të lartë të OSBE-së se procesi i vettingut po ecën dhe ka dhënë tashmë rezultatet e para, por natyrisht që duhet thelluar dhe përshpejtuar në të ardhmen. “Ndërtimi i strukturave të tilla si SPAK apo Byroja Kombëtare e Hetimit janë hapa të tjerë thelbësorë që Shqipëria duhet të plotësojë deri në vendimin e Qershorit 2019”, u shpreh ajo.

Berisha ankohet për Vetingun

Ish kryeministri i vendit Sali Berisha, përmes një statusi në “Facebook” ditën e djeshme, tha se vettingu është një mjet korruptiv, të cilin e kalojnë personat që zbatojnë urdhrat e Ramës, ndërsa Shkolla e Magjistraturës po përgatit drejtësinë partiake. “Dje pata një takim me të dërguarin e Asamblesë Parlamentare të OSBE-së, deputetin Britanik Mark Pritchard, i cili shoqërohej nga ambasadori Andreas Nutele dhe Zv/Ambasadori i OSBE-së në Tiranë. Edi Rama ka shndërruar sot vettingun në një mjet korruptiv të gjahut të shtrigave. Atë e kalojnë të gjithë ata që kanë zbatuar dhe zbatojnë urdhrat e Ramës, përfshi gjykatës që nuk justifikojnë edhe një 100 milion lekë, apo që prej tre vitesh dhunojnë vendimin konkret të Gjykatës Kushtetuese si Dvorani, apo të tjerë që kanë liruar në sallën e gjyqit, me urdhër të Ramës, ekzekutorin e komisarit të policisë që, më vonë, me të njëjtën dosje, është dënuar në Apel me burgim përjetë, për krimin e shëmtuar. Në ekspozenë time theksova se, jo vetëm vettingu po bën gjahun e shtrigave por edhe Shkolla e Magjistraturës, e shndërruar plotësisht në shkollë partie, po përgatit drejtësinë partiake”, tha Berisha.

Partia Zgjidhja: Të hetohet kontrata e spitalit me kompaninë italiane

Kreu i partisë “Zgjidhja” Koço Kokëdhima, përmes një statusi në “Facebook” ditën e djeshme teksa shprehu ngushëllim familjarëve të viktimave nga shembja e urës në Xhenova të Italisë, tha se kjo ngjarje ngre alarmin për punët që po bën firma ndërtuese në Shqipëri. “Zgjidhja” paralajmëron pasojat e kësaj kompanie dhe denoncon drejtuesit e saj, me faktin se në Shqipëri tenderët ju dhurohen kompanive që paguajnë ryshfet

Statusi i plotë:

“Nga shembja e një ure në Xhenova të Italisë, deri më tani numërohen 35 viktima, 13 të plagosur dhe 10 të zhdukur, mes të cilëve është konfirmuar edhe një 22-vjeçar shqiptar që humbi jetën ndërsa shkonte në punë. ZGJIDHJA u shpreh ngushëllimet familjarëve të viktimave të kësaj tragjedie dhe bashkohet me dhimbjen e tyre. Kjo ngjarje e rëndë ngre alarmin edhe për punët që firma ndërtuese po bën në Shqipëri. Kompania “Condotte SPA”, ndërtuese e urës “Morandi” në Genova të Italisë, prej muajsh është përfshirë në një skandal korruptiv në Itali dhe presidenti i saj Duçio Astaldi me 5 zyrtarë të tjerë u prangosën për korrupsion, pasi u akuzuan për abuzime për ndërtimin e tre pjesëve të autostradës Sirakuza-Xhela, në jug të Italisë dhe 6 të arrestuarit u përfshinë në një hetim për ryshfet. Komisioni i Vlerësimit të Ofertave kishte kryer procedura fiktive sepse fituesi ishte përcaktuar më herët.

Por kjo kompani, i ka shtrirë aktivitetet edhe në Shqipëri, përmes kompanisë-bijë “INSO” e cila firmosi në majin e kaluar me qeverinë shqiptare kontratën për ndërtimin e spitalit të ri 7-katësh në QSUT ‘Nënë Tereza”, me vlerë 14.4 milionë euro. ZGJIDHJA kërkon rishikimin e kësaj kontrate, duke patur parasysh jo vetëm pasojat tragjike të investimeve të kompanisë-mëmë, arrestimin dhe akuzat ndaj drejtuesve të saj, por edhe faktin se në Shqipëri tenderat u dhurohen vetëm kompanive që paguajnë ryshfete të majme për anëtarët e qeverisë. ZGJIDHJA fton organet ligjzbatuese që të ndërhyjnë sa nuk është vonë, që ajo që ndodhi në Xhenova të mos përsëritet në Tiranë”, thuhet në status.

Bardh Spahia: Qeveria po zhvat me koncesionin e Chek up

Në një deklaratë për mediat deputeti Fatbardh Spahia tha se qeveria e majtë po zhvat qytetarët me koncesionin e check-up një fakt ky që, sipas tij, konfirmohet edhe nga gjetjet e Kontrollit të Lartë të Shtetit. “Në një vend ku prokuroria nuk do të ishte nën kontrollin e kryeministrit zyrtarët më të lartë të ministrisë së Shëndetësisë dhe drejtorisë së Tatimeve sot duhej të ishin në burg për abuzime flagrante me fondet publike në favor të një kompanie private të lidhur direkt me kryeministrin. PD është e vendosur të anulojë koncesionin e dështuar të Check up dhe çdo koncesion tjetër korruptiv. Me ligjin antimafia çdo pasuri e qindarkë e grabitur do i kthehet shqiptarëve”. Spahia theksoi se KLSH ka gjetur problematika dhe ka bërë rekomandime që nuk janë përmbushur nga ana e qeverisë. Sipas selisë blu nga këto marrëveshje koncesionare abuzive po përfitojnë njerëz pranë kryeministrit Edi Rama.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat