“S’e pranojmë dot”, daja i 22-vjeçarit që vdiq në Genova tregon fundjavën e fundit të Marjusit në Shijak: Kur iku në Itali…

Shqipëria

“S’e pranojmë dot”, daja i 22-vjeçarit që vdiq në Genova tregon fundjavën e fundit të Marjusit në Shijak: Kur iku në Itali…

Më: 16 gusht 2018 Në ora: 12:47
Fatbardh Marku daja i Marjus Djerri

Mes viktimave që shkaktoi ura e shembur në Genova, janë edhe dy të rinj shqiptarë. Admir Bokrina, 32 vjeç, me origjinë nga Shkodra dhe Marjus Djerri, 22 vjeç, me origjinë nga Shijaku, janë konfirmuar tashmë mes 39 viktimave. Dy djemtë shqiptarë po udhëtonin në të njëjtin mjet dhe ishin nisur për të shkuar në vendin e tyre të punës, por një vonesë e shkaktuar nga trafiku ka rezultuar fatale.

Mariusi, sipas të dhënave, ka jetuar në Itali që kur ishte 12 vjeç bashkë me familjen e tij. Ndërsa Admir Bokrina jetonte prej 20 vitesh në Genova.

Ai ishte martuar 3 vite më parë dhe punonte në një biznes të vogël që e kishin familjarë të 22- vjeçarit, me të cilin gjetën vdekjen. Sipas familjarëve, Mariusi ishte kthyer në Itali vetëm tri ditë para ngjarjes.

Ai kishte qenë për pushime në Shqipëri dhe kishte qëndruar në vendlindjen e tij (Shijak) për 10 ditë. Në fundjavën e shkuar, ai u nis drejt Italisë për të rinisur rutinën e përditshme, pasi angazhohej në sektorin e ndërtimit pranë ndërmarrjes që menaxhohej nga prindërit e tij.

Thuajse i gjithë fisi Djerri prej vitesh janë vendosur në Genova. Daja i tij, Fatbardh Marku, i cili gjithashtu banon në Itali, por ka ardhur për pushime dhe ndodhej në Shijak, u shpreh dje se ende nuk ishte vendosur nëse trupi i nipit do të varrosej në Shqipëri apo në Itali.

Fatbardh, si e mësuat tragjedinë e Genovas dhe që mes viktimave ndodhej edhe nipi juaj?

Unë, sikurse edhe shumë të afërmit e mi, jetoj në Itali. Kam ardhur me pushime këtu në Shqipëri. Por ndërkohë që ndodhem këtu në Shqipëri, azhornohem me të rejat e fundit që ndodhin në Itali, kryesisht nëpër rrjete sociale. Edhe për tragjedinë nga rrjetet sociale e mësova, nga lajmet dhe postimet që hidheshin. Sigurisht, u trishtova shumë, pasi ishte një ngjarje shumë e rëndë dhe raportoheshin shumë viktima e të plagosur. Por nuk dyshoja dhe as më shkonte në mendje se mes viktimave mund të ishte nipi im apo ndonjë i afërm tjetër.

Kur e mësove se mes viktimave ndodhej edhe Marjusi?

Pak më vonë. Vdekjen e Marjusit e mësova nga të afërmit tanë, nga prindërit e tij. Nëna dhe babai i Marjusit kishin mësuar shumë shpejt për tragjedinë. Nëpërmjet tyre mësuam se fatkeqësisht mes viktimave ndodhej edhe Marjusi ynë. Unë pastaj u thashë të afërmve të tjerë këtu në Shqipëri. Gjyshi nuk duroi dot, ishin shumë të lidhur të dy.

Si po përballohet kjo ngjarje e rëndë?

Ç’të them?! Jemi të shokuar, nuk na besohet se është një ngjarje e vërtetë. Marjusi ishte një djalë i rrallë. Ishte i qeshur, i shoqërueshëm, social, i kishte të gjitha të mirat. Prej karakterit të tij, ishte i preferuari të gjithëve. Ishte shumë i lidhur me gjyshin e tij, me babain e nënës së vet. Kur u kthye në Itali, tri-katër ditë më parë, i puthi duart dhe këmbët gjyshit të vet, sikur ta dinte se nuk do të shiheshin më. S’di ç’të them…

Marjusi ishte nisur për në punë kur fatkeqësia e çoi mbi atë urë?

Po, ishte nisur bashkë me një patriotin e tij për të transportuar disa materiale diku në rrethinat e Genovës. Ai djali quhej Admir dhe ishte nga Shkodra, ku edhe gjetën vdekjen së bashku. Ishte i punësuar te sipërmarrja e prindërve të Marjusit dhe punonin bashkë. Admiri ndodhej në timon, ndërsa Marjusi si pasagjer.

Prej sa vitesh ndodhej familja Djerri në Itali?

Prej rreth dhjetë vitesh. Gazi dhe Valdetja, së bashku me dy fëmijët, Marjusin dhe motrën e tij më të vogël, u nisën si klandestinë nga Shqipëria për një jetë më të mirë në perëndim. Mbaj mend si sot kur u nisën. Ishte një ditë dimri dhe ata u nisën të katërt me gomone, nga Vlora. Fatmirësisht, përfunduan në Itali shëndoshë e mirë. Atje qëndruan për një kohë të gjatë pa dokumente. Pra, nuk kishin mundësi të vinin në Shqipëri. Për shumë vite u izoluan në Itali. Vitet e fundit arritën të siguronin dokumentet dhe hapën një ndërmarrje që operon në fushën e ndërtimit. Aty ishin punësuar si familje, madje kishin punësuar edhe persona të tjerë, sikurse është edhe rasti i fatkeqit Admirit, që së bashku me Marjusin, humbën jetën në atë udhëtim.

Ku do të prehet Marjusi në Shqipëri apo Itali?

Nuk di çfarë të them. Nuk është vendosur akoma. Por i gjithë fisi Djerri ndodhet në Itali. Në këto kushte, besoj se edhe varrimi i Marjusit do të bëhet në Itali. Kjo është më pak e rëndësishmja. Ne s’e kemi pranuar akoma se Marjusi ka vdekur, duket sikur jemi duke parë një ëndërr të keqe dhe do zgjohemi.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat