A janë të sigurt shqiptarët kur frekuentojnë pishinat?!

Shqipëria

A janë të sigurt shqiptarët kur frekuentojnë pishinat?!

Më: 17 gusht 2018 Në ora: 14:25
Foto ilustrim

Çfarë ndodh në pishinat në të gjithë vendin, si paraqitet gjendja e tyre higjieno-sanitare dhe cilat janë masat që janë marrë nga ky institucion. Çfarë është konstatuar pas një vale inspektimesh ne subjektet bar/kafe dhe subjekteve prodhues, ruajtës dhe shpërndarës të akullit…

Vera është një nga periudhat kur pishinat frekuentohen më tepër. Në kryeqytet ka shumë të tilla. Ato janë një ambient i preferuar argëtimi, jo vetëm për të rriturit, por edhe për fëmijët, pasi aty, brenda një territori  gjejnë gjithçka, që nga këndet e lojërave e deri te pishinat ku mund të ushtrojnë notin.

Për shkak të frekuentimit të lartë, këto ambiente kërkojnë edhe kushte hijeno-sanitare, madje edhe monitorim të shpeshtë, pasi aty mund të merren sëmundje dhe infeksione lëkure me shpesh se sa kudo tjetër.

Inspektorati Shtetëror Shëndetësor është ai që i ka në qendër të vëmendjes këto ambiente.  Bënë inspektime, evidenton raste dhe merr masa ndaj subjekteve që nuk respektojnë rregullat e vendosura.

Inspektorati Shtetëror Shëndetësor është në krye të detyrës në këto ditë. Për të kuptuar me tepër se çfarë ndodh me pishinat, akullin që përdorin lokalet, por edhe për duhanpirjen, ne kemi folur me Eltar Dedën, kreu i Inspektoratit Shtetëror Shëndetësor.

-Z. Deda a është vera një nga periudhat më të ngarkuara pune për ju, apo i gjithë viti është njëlloj?

Inspektorati Shtetëror Shëndetësor (ISHSH) vepron në baze të një programi vjetor inspektimesh, program i cili miratohen edhe nga Ministrja e Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale. Programimi i inspektimit hartohet bazuar në metodologjitë e vlerësimit të rrezikut dhe në detyrimin për inspektimin periodik në rastet e parashikuara nga ligji i posaçëm.

-Cili është prioriteti juaj në këtë periudhë?

Për vetë karakteristikat që ka sezoni turistik veror, inspektimet e deritanishme kanë mbuluar të gjitha subjektet turistike (parqet, muzetë, pazaret karakteristike, shtëpitë muze etj), restorantet, strukturat akomoduese (hotele, motele, bujtinat, kampet, pensionet, fshatrat turistike, komplekset turistike etj), subjektet prodhuese (subjektet prodhuese të produkteve ushqimore me destinacion human), subjektet tregtare (subjektet tregtare të produkteve ushqimore me destinacion human), sistemet e ujit të pijshëm nga kaptazhi deri në pikat fundore, impiantet e trajtimit të ujërave zeza, plazhet dhe pishinat.

Gjithashtu Inspektorati Shtetëror Shëndetësor (ISHSH) ka ushtruar inspektime higjieno-sanitare në çerdhe, kopshte, shkolla 9-vjeçare, të mesme, universitete si dhe konvikte dhe mensa në funksion të tyre me qëllim evidentimin e situatës higjieno-sanitare në to dhe marrjen e masave të nevojshme për fillimin e vitit shkollor 2018 -2019.

-Kjo është koha kur pishinat kanë numrin me të lartë të frekuentuesve, mund të na thoni, a ka udhëtuar inspektorati në to dhe cilat janë rezultatet?

Në periudhën 1 qershor–15 gusht 2018 nga ana e inspektorëve të ISHSH janë inspektuar 98 pishina në të gjithë vendin.
Problematika kryesore që është hasur dhe për të cilën janë marrë masa të menjëhershme ka qenë maspajisja e pishinave me dokumentacionin e nevojshëm për të kryer një aktivitet i cili është i sigurt për të gjithë. Ndaj një subjekti është marrë masë bllokimi të aktivitetit.

-Sa i sigurt mund të ndihet dikush që frekuenton një pishinë që kur të dal prej aty nuk do të ketë marrë ndonjë infeksion?

Puna e deritanishme e ISHSH ka për qëllim të shmangë fenomene të tilla por të gjithë duhet të kemi parasysh se ne vetë si frekuentues të mundshëm të pishinave duhet të kujdesemi që të zbatojmë rregulloren e pishinës, të kërkojmë zbatimin e rregullores nga frekuentuesit e tjerë dhe më e rëndësishmja të shmangim ato pishina të cilat që në pamje duket se nuk zbatojnë rregullat higjieno-sanitare.

-A ka një  mënyrë për ta kuptuar, përveç syrit të lirë, nëse pishina është e pastër dhe e kontrolluar?

Inspektorati Shtetëror Shëndetësor gjatë inspektimeve në pishina inspekton:
respektimin e kapaciteteve të frekuentuesve sipas sipërfaqes së pishinës;
kryerjen e analizave fiziko-kimike dhe atyre bakteriologjike të ujit, etj.
regjistrit të kontrollit të ujit të basenit
rregullores së brendshme për pishinat;
pranisë së një personi të kualifikuar për vëzhgim, shpëtim dhe dhënien e ndihmës së parë;
pasjes së një pike të ndihmës së shpejtë.

– Sa i rëndësishëm është respektimi i hapësirës dhe a keni vënë re një mbi popullim në pishina?

Ka një Vendimin të Këshillit të Ministrave Nr. 835, datë 30.11.2011 për miratimin e rregullores “Për kërkesat higjieno-sanitare të pishinave” i cili përcakton kapacitetin e frekuentuesve të pishinës bazuar në klasifikimin e pishinës dhe sipërfaqen e saj. Respektimi i hapësirës është shumë i rëndësishëm dhe ne ju bëjmë thirrje të gjithë qytetarëve që në rastet që hasin me mbipopullim të denoncojnë në numrin pa pagesë 0800 4040.

-Pas inspektimeve të bëra, a keni hequr ndonjë licencë  për mos respektim të kushteve?

Inspektorati Shtetëror Shëndetësor ka marrë një masë administrative 500 000 lekë për një subjekt i cili operonte pa dokumentacionin nevojshëm higjieno-sanitar.

-Jo vetëm pishinat, por edhe njerëzit vetë mund të kenë probleme me lëkurën dhe trupin e tyre. Sa e rëndësishme është që këta njerëz të kontrollohen, përpara se të frekuentojnë ambiente të tilla?

Është shumë e rëndësishme që njerëz që kanë probleme ose mendojnë që kanë probleme me lëkurën të marrin mendimin e mjekut para se të vendosin nëse do të frekuentojnë pishinën apo jo.

-Një konsumim të lartë në këtë periudhë njeh edhe akulli. A ka patur një kontroll për të, pasi shpesh, më parë është konstatuar ngarkesë e lartë mikrobike. Po sot që flasim cilësia e akullit që përdoren në lokale?

Strukturat e Inspektoratit Shtetëror Shëndetësor në kuadrin e inspektimeve për sezonin turistik veror kanë kryer inspektime të subjekteve prodhues, ruajtës dhe shpërndarës të akullit. Deri tani janë kryer mbi 600 inspektime në subjekte bar/kafe nga të cilat 18 inspektime me indicie të subjekteve prodhues, ruajtës dhe shpërndarës të akullit. Janë marrë 14 mostra akulli për analiza laboratorike dhe janë bërë 6 bllokime makinerie. Inspektimet vazhdojnë.

-Mund të na thoni diçka për ligjin anti-duhan, si ka funksionuar dhe a po zbatohet?

Zbatimi i Ligjit nr. 9636 datë 06.11.2016 “Për mbrojtjen e shëndetit nga produktet e duhanit” i ndryshuar, ose “ligjit anti-duhan” ka funksionuar.

Ndryshimet më të fundit të ligjit “antiduhan” në gusht 2014 dhe fillimi nga aktiviteti i ISHSH në atë periudhë kohore ndihmuan në zbatimin e ligjit. Ky zbatim u mbështet nga të gjithë aktorët politikë në vend dhe është për t’u falenderuar edhe përfshirja e gjerë e shoqërisë civile të cilët me një sërë fushatash në qytetet e vendit dhe me bërjen aksesibel të një numri pa pagesë (0800) kanë përçuar kudo dhe te të gjithë mesazhin e një Shqipërie pa duhan.

Zbatimi i ligjit ka hyrë në një rrugë të mbarë dhe në të ardhmen ky zbatim vetëm do të përforcohet. Vendimi i qeverisë shqiptare për të rritur çdo vit në mënyrë progresive taksat e duhanit dhe ofrimi i programeve që ndihmojnë në lënien e tij janë hapa të cilët e bëjnë punën tonë më të lehtë dhe rezultatet më të arritshme.

Megjithë vështirësitë e hasura puna për zbatimin e ligjit konsiderohet e suksesshme, fakt ky i shprehur nga Organizata Botërore e Shëndetësisë në dhënien e çmimit të Ditës Botërore Pa Duhan  në vitin 2015 vendit tonë dhe citimi në Progres Raportin e Komisionit Europian për Shqipërinë për vitin 2016 ku Komisioni Europian  përmend dhe zbatimin e ligjit me fjalinë:

… “Për kontrollin e duhanit, ligji për mbrojtjen e shëndetit nga produktet e duhanit është zbatuar”. (4.28. Kapitulli 27: Konsumatori dhe mbrojtja e shëndetit). Fakti që citimi i Progres Raportit të Komisionit Europian në vitin 2015 për Shqipërinë ishte: … “Ligji për ndalimin e duhanit në ambientet e mbyllura rezultoi efektiv”. (4.27. Kapitulli 27: Mjedisi dhe ndryshimet klimatike) tregon se zbatimi i ligjit nr. 9636 datë 06.11.2006 “Për mbrojtjen e shëndetit nga produktet e duhanit” të ndryshuar është i suksesshëm dhe në rrugën e duhur.

Në periudhën 1 shtator 2014 – 30 korrik 2018 nga ana e ISHSH janë kryer rreth 85 000 inspektime për zbatimin e ligjit “antiduhan”. Inspektorët e ISHSH kanë marrë 1114 masa ndaj subjekteve apo individëve të cilët janë shkelës të ligjit në fjalë.

Numri i masave administrative do të jetë në ulje për arsye të krijimit të bindjes në popullatë që ligji do të zbatohet gjithmonë dhe nuk do të ketë kthim mbrapa apo “do të ketë lehtësira” në zbatimin e tij. Me rritjen e këtij ndërgjegjësimi në popullatë është normale që edhe numri i shkelësve të ligjit të jetë gjithmonë më i ulët dhe rrjedhimisht edhe numri i masave administrative të jetë më i vogël.

-Keni hasur probleme dhe rezistencë në ambiente të ndryshme apo njerëzit tashmë janë ndërgjegjësuar?

Nuk duhet të harrojmë se ndryshimet në mentalitet janë ndryshime që duan kohë relativisht të gjatë. Këto ndryshime në mentalitetin e publikut duhet të prihen para se gjithash nga ndryshime në mentalitetin e ofruesve të shërbimeve shëndetësore publike si në mospirjen e duhanit nga ata vetë dhe në ofrimin e asistencës së nevojshme për ata që duan të heqin dorë nga ky ves. Gjithashtu zbatimi i ligjit do të jetë edhe më i suksesshëm nëse do të arrijmë të ndalojmë shitjen e pakontrolluar, me cope apo të hapura, dhe të ndalojmë shitjen dhe konsumimin e duhanit dhe produkteve te tij nga të miturit në vende ku ata mblidhen.

Qytetarët janë të ftuar të bashkëpunojnë me Inspektoratin Shtetëror Shëndetësor nëpërmjet Platformës së Bashkëqeverisjes ose të telefonojnë në numrin 0800 4040 për të denoncuar çdo parregullsi apo shkelje ligji dhe jo vetëm atij “antiduhan”.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat