Virusi i Etheve të Nilit, asnjë rast në Shqipëri

Shqipëria

Virusi i Etheve të Nilit, asnjë rast në Shqipëri

Më: 17 gusht 2018 Në ora: 14:29
Foto ilustrim

Instituti i Shëndetit Publik në Shqipëri konfirmon se aktualisht nuk ka asnjë rast të sëmundjes virale Ethja e Nilit Perëndimor në Shqipëri.

ISHP thotë se prej dy vitesh në Shqipëri nuk ka asnjë rast të kësaj sëmundje, bazuar në të gjitha testimet e kryera për të gjitha rastet e dyshuara.

Deklarohet se qysh prej vitit 2011 në Shqipëri është vendosur survejanca për zbulimin e hershëm të Etheve të Nilit Perëndimor në të gjithë vendin dhe sidomos evidentimin e infeksioneve të sistemit nervor qendror të shkaktuar prej tij.

Po ashtu janë përforcuar kapacitet laboratorike të diagnozës përfshi këtu dhe atë molekulare të kësaj sëmundje pranë laboratorit të virologjisë në ISHP.

Gjithashtu për Shqipërinë është kryer edhe një vlerësim risku ku janë përcaktuar zonat me risk më të lartë ku kemi një survejance dhe kontroll të përforcuar.

ISHP këtë sezon në bashkëpunim me ECDC (Qendrën Europiane të Kontrollit të Sëmundjeve) ka përcaktuar masat për të parandaluar përhapjen e kësaj sëmundjeje si më poshtë:

- Përforcimi i survejancës për Ethen e Nilit Perëndimor dhe infeksionet e sistemit nervor qendror

- Komunikim të përditshëm me struktura shëndetësore në vend për kapjen e hershme të rasteve

- Përgatitje e laboratorit të virologjisë pranë ISHP për të kryer diagnozën dhe bashkëpunim i këtij laboratori me rrjetin europian të sëmundjeve emergjente

- Survejancë e përforcuar tek kuajt dhe zogjtë

- Fushatë ndërgjegjësimi, informimi dhe kontrolli derë me derë në Tiranë dhe më tej sipas një udhëzimi dhe bashkëpunimi me ECDC.

- Bashkëpunim ndërkufitar për Plan të Kontrollit të mushkonjave për të ndërhyrë në rastet e shpërthimit të ndonjë epidemie dhe shkëmbim informacioni me vendet fqinje.

- Survejancë e përforcuar entomologjike.

Kujtojmë se për këtë sëmundje nuk ka vaksine tek njerëzit, por mënyra më e mirë për të parandaluar infektimin nga Virusi i Nilit Perëndimor si në Shqipëri dhe jashtë saj, është evitimi gjithnjë e më i madh i pickimit nga mushkonjat.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat