Shqiptarët shpenzojnë më shumë se mesatarja europiane si turistë në Itali e Gjermani

Shqipëria

Shqiptarët shpenzojnë më shumë se mesatarja europiane si turistë në Itali e Gjermani

Më: 20 gusht 2018 Në ora: 11:48
Foto ilustrim

Kemi hyrë në 10 ditshin e fundit të gushtit dhe sezoni veror është drejt mbarimit.

Nuk janë të paktë shqiptarët që zgjedhin që pushimet t’i kalojnë jashtë vendit. Po sa shpenzon mesatarisht një shqiptar për pushime jashtë, në krahasim me europianët? Monitor ka krahasuar të dhënat që janë publikuar nga Eurostat për vendet e BE dhe INSTAT për Shqipërinë.

Një turist shqiptar shpenzon mesatarisht gjatë një udhëtimi për pushime 262 euro dhe kalon jashtë vendit për pushime mesatarisht 5.7 ditë, sipas të dhënave të INSTAT. Në krahasim me mesataret e Bashkimit Europian, ku një rezident i BE-së shpenzon 336 euro për një udhëtim, sipas Eurostat shqiptarët shpenzojnë rreth 74 euro ose 28% më pak.

Mesatarja e shpenzimeve rezulton më e ulët për shkak se një pjesë e madhe e pushuesve shkojnë në vendet fqinjë, ku është relativisht lirë dhe qëndrojnë pak ditë. Por kur udhëtojnë në vendet e Europës Perëndimore, shqiptarët nuk kursehen dhe shpenzojnë më shumë sesa mesatarja Europiane. Për në Gjermani, ku mesatarisht rrinë 10.9 ditë, shpenzimi mesatar është 496 euro, ose 47% më shumë se mesatarja europiane. Vetë gjermanët për pushime jashtë vendit të tyre shpenzojnë mesatarisht 443 euro për udhëtim, sipas Eurostat.

Në Itali, qëndrimi mesatar i shqiptarëve, sipas INSTAT është 9.6 ditë me një shumë mesatare prej 442 eurosh. Vetë italianët kur ikin jashtë janë shumë më dorështrënguar, shpenzojnë 360 euro për udhëtim, sipas Eurostat.

Sipas të dhënave të publikuara nga INSTAT vendi më i preferuar për pushuesit është Greqia, ku mesatarisht pushuesit kalojnë 5.6 natë qëndrimit dhe shpenzojnë mesatarisht për udhëtim 258 euro. Pesha e turistëve shqiptar që kanë preferuar Shqipërinë në 2017-n në raport me totalin është 28%.

Në vend të dytë është Italia, e cila ka qenë destinacion për 20% e turistëve që kanë zgjedhur të pushojnë jashtë në 2017-n dhe që të cilët kanë qëndruar mesatarisht 9.6 natë qëndrimi.

Në vend të tretë është Kosova për sa i përket peshës së turistëve shqiptar që kanë zgjedhur atë me rreth 16% e totalit në 2017, mirëpo ka numrin më të vogël të netëve të qëndrimit. Sipas të dhënave të Instat, një turist shqiptar ka qëndruar mesatarisht 1.6 net qëndrimi dhe ka shpenzuar 74 euro.

Më pas renditet Mali i Zi dhe Maqedonia, ku netët mesatare të qëndrimit janë mesatarisht 2.6 dhe 2.4 natë, ku turistët kanë shpenzuar 120 dhe 100 euro përkatësisht. 
 
Më dorështrënguarit

Turistët e Europës Qendrore dhe Lindore janë më dorështrënguarit për sa i përket shpenzimeve për udhëtim. Mesatarisht një turist letonez ka shpenzuar 108 euro për udhëtim, ndërsa një rumun 125 euro.

Të tretët për shpenzime më të ulëta për udhëtim renditet çekët, ku mesatarisht një çek shpenzon 130 euro, ndërsa polakët 192 euro për udhëtim, më ulët se mesatarja e Bashkimit Europian. Nën mesataren e BE-së janë edhe shpenzimet e turistëve nga Suedia, ku sipas të dhënave të Eurostat kanë shpenzuar në 2016-n 220 euro.

Turistët më dorëlëshuar në Europë

Turistët më dorëlëshuar në Europë sipas të dhënave të publikuara nga Eurostat janë zviceranët, të cilët në 2016-n kanë shpenzuar mesatarisht 818 euro për udhëtim. Më pas renditet Luksemburgu, ku një turist ka shpenzuar 768 euro, Austria me 607euro.

Gjermanët shpenzojnë mesatarisht 443 euro, ndërsa italianët 360 euro, thuajse sa mesatarja e Bashkimit Europian. /Monitor

Image
Image
commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat