Presidenti Meta vizitoi Selinë e Bashkësisë Myslimane me rastin e Festës së Kurban Bajramit

Shqipëria

Presidenti Meta vizitoi Selinë e Bashkësisë Myslimane me rastin e Festës së Kurban Bajramit

Më: 21 gusht 2018 Në ora: 12:43
Presidenti i Republikës, Ilir Meta zhvilloi sot paradite një vizitë në Selinë e Bashkësisë Myslimane Shqiptare me rastin e Festës së Kurban Bajramit

Presidenti i Republikës, Ilir Meta zhvilloi sot paradite një vizitë në Selinë e Bashkësisë Myslimane Shqiptare me rastin e Festës së Kurban Bajramit, ku u prit nga Kryetari i Komunitetit Mysliman Shqiptar, Haxhi Skënder Bruçaj.

Presidenti Meta përcolli urimet më të mira e të përzemërta për të gjithë besimtarët myslimanë shqiptarë, kudo ku ata ndodhen, duke shprehur njëkohësisht besimin që ditë të tilla të sjellin më shumë mirësi, mirëkuptim, harmoni e dashuri në familjet shqiptare, si dhe të forcojnë modelin e bashkëjetesës dhe tolerancës mes bashkësive fetare në vendin tonë.

Presidenti i Republikës u shpreh në prani të mediave, duke theksuar se:

“Gëzuar Kurban Bajramin! Mesazhi që sjell kjo ditë mjaft e rëndësishme e besimit islam, jo vetëm për besimtarët, por për të gjithë qytetarët tanë, është mesazhi i solidaritetit, i bashkëpunimit, i vëmendjes sidomos për ata të cilët kanë më shumë nevojë për t’u përfshirë, për t’u përkrahur, për t’u ndihmuar.

Sot është një ditë, e cila gjithashtu dëshmon për bashkëjetesën tonë të shkëlqyer ndërfetare, që ka në themelet e saj vlerat më të mira njerëzore dhe hyjnore.”

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat