Bushati takon politikanë të Preshevës: Dialogu të mbyllet me njohje, ne i qëndrojmë bindjes tonë se…

Shqipëria

Bushati takon politikanë të Preshevës: Dialogu të mbyllet me njohje, ne i qëndrojmë bindjes tonë se…

Më: 23 gusht 2018 Në ora: 15:04
Pamje nga takimi

Ministri për Evropën dhe Punët e Jashtme, Ditmir Bushati, priti sot një grup të përfaqësuesve politikë të Luginës së Preshevës. Në qendër të diskutimit ishin situata e të drejtave të Shqiptarëve që jetojnë në Luginën e Preshevës, si dhe zhvillimet e tanishme në rajon.

Ministri Bushati dëgjoi mendimet dhe kërkesat e parashtruara nga përfaqësuesit e spektrit politik të Luginës, me fokus kryesor shqetësimin e tyre për ecurinë socio-ekonomike, kulturore e arsimore, si dhe mungesën e shërbimeve dhe të standarteve parësore, që po çojnë drejt humbjes së perspektivës për të rinjtë dhe largimin e tyre nga Lugina.

Ministri Bushati ritheksoi angazhimin tonë për mbështetje të pakushtëzuar në adresimin e kërkesave të tyre, çka është materializuar edhe në një sërë inisiativash e kontributesh për nxitjen e kapaciteteve zhvillimore nga ana e Qeverisë shqiptare. Ai i siguroi bashkëbiseduesit se Shteti shqiptar do të vijojë të kërkojë nga Serbia për shqiptarët e Luginës atë që atyre u takon, më shumë mirëqënie, më shumë respekt dhe më shumë përfshirje në proceset integruese të Serbisë.

Image
Pamje nga takimi

“Është detyrim i drejtpërdrejtë i autoritetve serbe të sigurojë përmbushjen tërësore të të drejtave për popullsinë shqiptare në Serbi në respekt të angazhimeve që burojnë nga procesi i negociimit me Bashkimin Evropian, si edhe të normave të gjithëpranuara ndërkombëtare. Ajo çka kërkojmë nga Serbia për ju është të sigurojë as më shumë e as më pak sesa të drejtat që gëzojnë serbët në Kosovë”, u shpreh Ministri.

Përfaqësuesit e Luginës parashtruan mendimet e tyre edhe mbi zhvillimet e tanishme në Rajon, veçanërisht procesin e Dialogut Kosovë-Serbi. Në këtë kontekst, Ministri Bushati ndau me bashkëbiseduesit qasjen e Shqipërisë në raport me këto zhvillime, duke e vënë theksin tek rëndësia e vijimësisë së Dialogut dhe orientimin e tij në mënyrë efektive, në terma të qartë, pa ekuivok dhe të balancuar për sa i përket zbatimit të plotë të marrëveshjeve dhe avancimin e proceseve integruese të Kosovës. “Ne i qëndrojmë bindjes tonë se procesi i Dialogut duhet të përmbyllet me një Marrëveshje për njohje të ndërsjellë mes dy vendeve, që do të sillte jo vetëm normalizimin e plotë të marrëdhënieve mes tyre, por edhe do të ishte një garanci e fortë për stabilitetin demokratik të të gjithë rajonit”, tha ai.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat