Historia e dhimbshme e nënave që varrosën fëmijët e tyre, Meta në kampin famëkeq të Tepelenës

Shqipëria

Historia e dhimbshme e nënave që varrosën fëmijët e tyre, Meta në kampin famëkeq të Tepelenës

Më: 24 gusht 2018 Në ora: 10:17
Presidenti Ilir Meta mori pjesë në përkujtimin për të internuarit dhe viktimat e kampit famëkeq të Tepelenës

Presidenti Ilir Meta mori pjesë në përkujtimin për të internuarit dhe viktimat e kampit famëkeq të Tepelenës, aktivitet i zhvilluar në bashkëpunim me Autoritetin për Informimin mbi Dokumentet e ish-Sigurimit të Shtetit e të Bashkisë Tepelenë, në kuadër të Ditës Evropiane të Përkujtimit të Viktimave të Sistemeve Totalitare.

Në shenjë nderimi dhe respekti Meta dekoroi me titullin “Për Merita të Veçanta Civile” Drane Jakjën, pas vdekjes, Mrikë Gjikola, Gjelë Gjikola si dhe Lekë Pervizi, me mirënjohje të veçantë për vuajtjet e sakrificat e tyre si dhe dokumentimin historik nëpërmjet pasqyrimit e vizatimit të kushteve çnjerëzore të mbijetesës nëpër kampet e internimit, situatave dhe portreteve të papërsëritshme njerëzore.

Historia e tyre ka qenë mjaft e trishtë. Gjelë Gjikola dhe Mrikë Gjikola, varrosën vetë vajzat e tyre 3-vjeçare pranë kampit për t’i rigjetur, rizhvarrosur dhe për t’ju siguruar një vend prehjeje të identifikueshëm vetëm pas 55 vitesh.

Ndërsa Drane Jakja varrosi dhe më pas zhvarrosi djalin e saj 2-vjeçar, duke e mbajtur për shtatë javë trupin e tij pranë vetes, për ta rikthyer në vendlindje e për ta varrosur sipas zakoneve.

“Nuk ka dhimbje më të madhe për një nënë sesa humbja e jetës së fëmijës së saj. Por tre gratë, që nderojmë sot, u ngritën mbi dhimbjen dhe me sakrificë dhe vetëmohim, pa marrë parasysh pasojat e rënda që mund t’u vinin kryen akte heroizmi e vetëmohimi”, u shpreh Meta në fjalën e tij.

Ndërkohë që Lek Pervizi i ka bërë një shërbim të paçmueshëm historisë nëpërmjet dëshmive në formën e vizatimeve, të sjella deri në ditët e sotme.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat