21 mijë biznese me borxhe, rrezikojnë sekuestron

Shqipëria

21 mijë biznese me borxhe, rrezikojnë sekuestron

Më: 25 gusht 2018 Në ora: 14:43
Ilustrim

Ja llojet e detyrimeve

Drejtoria e Tatimeve ka përditësuar listën e tatimpaguesve me detyrime të papaguara në afat, ndaj të cilëve Administrata Tatimore, ka vendosur marrjen e masave të sigurimit mbi të gjithë pasuritë për ekzekutimin e detyrimeve dhe ka filluar procedurën e mbledhjes me forcë të tyre. Sipas tabelës së përditësuar deri dje, gjithsej janë 21 185 subjekte  që kanë detyrime ndaj tatimeve. Negativ është fakti se, lista me tatimpaguesit që kanë krijuar borxhe në tatime dhe ndaj tyre është vënë barra hipotekare për mbledhjen e detyrimeve me forcë u zgjerua me 20 për qind vetëm në 7 muaj. Sipas të dhënave të tatimeve të azhurnuara deri në fund të gushtit shihet se numri i bizneseve me barrë hipotekore shkoi në 21 185 ose 4 335 biznese më shumë se fillimi i vitit. Sipas tatimeve, lista e debitorëve për të cilët është vendosur marrja e masave të sigurimit mbi të gjithë pasuritë që u janë sekuestruar bëhet që personat e tretë të marrin dijeni për fillimin e këtyre procedurave dhe që organet apo institucionet të cilët kanë bëre regjistrime të pasurive të luajtshme apo të paluajtshme të tatimpaguesve debitorë, të regjistrojnë detyrimin tatimor të papaguar si barrë mbi këtë pasuri dhe të mos lejojnë kryerjen e transaksioneve për transferimin e pasurive të tatimpaguesve debitorë, deri në momentin që detyrimi tatimor i papaguar të arkëtohet.

Debitorë sipas qarqeve

Ndërsa bizneset e tjera, në presionin e tatimeve, që u bllokojnë llogaritë, kanë nisur të paguajnë dhe numri i debitorëve është rritur, dhe nuk mungojnë mes tyre as bizneset e mëdha, ose bizneset VIP.  Pjesa më e madhe e këtyre bizneseve janë kompani nga sektori i naftës dhe ndërtimit dhe janë përfshirë tashmë në një proces falimenti. Por, ato do të jenë objekt i detyrimeve tatimore derisa sa gjykata e falimentit të marrë vendimin e  likuidimit.  Tatimet bëjnë të ditur se borxhi tatimor total e kalon vlerën 150 miliardë lekë borxhe.  Sipas qarqeve ku janë të vendosur këta subjekte, rekordin e borxhlinjve e mban Tirana, me 8328 debitorë, i ndjekur nga Fieri e Durrësi me 3239 dhe 2074 debitorë. Rritje gjatë 7-mujorit, për numrin e debitorëve, të cilët rrezikojnë sekuestro, kanë pothuajse të gjitha qarqet, ku në Sarandë totali i tyre ka arritur 2000, sikundër edhe Gjirokastra e Elbasani, të cilat numërojnë secila nga 1110 biznese në vështirësi.

Sondazhi

Pas një sondazhi të zhvilluar pak kohë më parë, rezultonte se një pjesë e subjekteve as që ishin në dijeni, se kishin një borxh për të shlyer, ndërsa kishte edhe nga ata që pohonin se një pjesë e borxhit është faturuar pa të drejtë,  ndërsa një pjesë është fryrë përtej realitetit. Për këto raste, ata kanë hapur edhe procedura gjyqësore. 90% e bizneseve deklarojnë se nuk kanë aftësi paguese për të paguar borxhin ndaj Tatimeve, ndërkohë që pjesës më të madhe të tyre u është vendosur edhe sekuestro nga shoqëritë përmbarimore. Pjesa tjetër është në proces ankimi ndaj gjobave të marra. Por, gjatë sondazhit, një pjesë e mirë e subjekteve në listën e publikuar nga Tatimet nuk kanë përditësuar të dhënat e kontaktit. Shpesh pas telefonit përgjigjeshin individë që nuk kishin lidhje me subjektin, ndërkohë që në adresat e bizneseve jepet si referencë ndonjë shkollë, bar apo institucion pranë subjektit, duke e vështirësuar komunikimin midis Tatimeve dhe Biznesit. Por, interesant është edhe fakti  se sipërmarrësit kanë besim te falja. Amnistitë, pavarësisht emrit që i vendoset shuarjes së një detyrimi, rrezikojnë që të krijojnë idenë tek individët që kanë detyrime se një ditë borxhet që kanë do t’iu falen. Shuarja e detyrimit dekurajon edhe paguesit e rregullt të detyrimeve. Bizneset deklaronin, sipas llojit të borxhit, se disa e kishin atë si detyrim për TVSh-në, disa të tjera kontrata me OSHEE-në dhe Ujësjellësin për lidhjet e detyruara të aktmarrëveshjeve dhe të tjerë kishin detyrime të papaguara për kontribute shëndetësore dhe shoqërore.

Debitorët

Qarku     Subjekte

Berati     961

Dibra      350

Durrësi   2074

Elbasan 1140

Fieri        3239

Gjirokastra            1131

Korça     654

Kukësi    73

Lezha     641

Saranda 1957

Shkodra 759

Tirana    8328

Vlora      1633

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat