Njihuni me emigranten shqiptare që mundi Greqinë! Fiton gjyqin në Strasburg, urdhërohet dëmshpërblim

Shqipëria

Njihuni me emigranten shqiptare që mundi Greqinë! Fiton gjyqin në Strasburg, urdhërohet dëmshpërblim

Më: 26 gusht 2018 Në ora: 08:51
Dhurata Sulçe

Dhurata Sulçe prej 14 vitesh lufton për të gjetur vrasësit e vëllait të saj në Greqi, por betejën e saj të parë e fitoi në Gjykatën e Strasburgut.

Megjithëse familja e Luan Bërdëllimës nuk u informua asnjëherë nga pala greke se çfarë fati patën hetimet ndaj një polici të dyshuar për krimin, përmes monitoruesit grek të Helsinkit ata ngritën padi kundër shtetit grek dhe në vendimin e Strasburgut thuhet se secili nga të afërmit e Luan Bërdëllimës, një emigrant i rregullt në Greqi i vrarë në moshën 36-vjeçare, duhet të dëmshpërblehet nga shteti dhe përpos kësaj shteti grek duhet të ndërmarrë masa për përshtatjen e ligjit të brendshëm.

“Duam që fajtori të gjykohet, mos të lihet i lirë si në këto 14 vitet e fundit. Të hapen sërish hetimet”, thotë Dhurata.

Gjykata e Strasburgut thotë se hetimet paraprake zgjatën mbi 4 vjet dhe gjatë viteve 2005-2006 nuk u ndërmor asnjë veprim hetimor, dhe se dëshmitarët, të cilët u larguan nga frika, nuk u pyetën.

I vetmi i dyshuar u mor në pyetje dy vjet pas vrasjes së emigrantit, por ndonëse çështja kishte të dhëna për një oficer policie, autoritetet nuk treguan zell për ta zbardhur, thotë Gjykata e Strasburgut. “Vëllai im u vra kot, ishte në vendin e gabuar dhe në kohën e gabuar aty”, thotë Dhurata.

Si shkelje evidentohet edhe fakti që familjarët nuk u përfshinë si palë civile. Motra e të ndjerit, edhe pse ishte në listën e dëshmitarëve, nuk u thirr asnjëherë në gjykim. Gjykata evropiane thekson se autoritetet greke ishin të detyruara të informonin kërkuesit për vijueshmërinë e procesit dhe të hetimeve, por edhe tu vendosnin në dispozicion aktet si edhe dëshmitë mbi përfshirjen e një oficeri policie në vrasje.

Pas fitores në Strasburg, Sulçe shpreson edhe në ndihmën e autoriteteve shqiptare për rihapjen e dosjes: “Ministria e Jashtme shpresoj që të bëjë diçka tani sepse atëherë nuk bëri asgjë”.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat