BE del kundër marrëveshjes Shqipëri-Itali, për emigrantët

Shqipëria

BE del kundër marrëveshjes Shqipëri-Itali, për emigrantët

Më: 29 gusht 2018 Në ora: 18:35
BE del kundër marrëveshjes Shqipëri-Itali, për emigrantët

Marrëveshja e Shqipërisë dhe Italisë, që Tirana të merrte 20 emigrantë nga Eritrea, të mbetur në një anije të bllokuar pranë portit të Catanias, duket se do të jetë shumë e vështirë për t’u realizuar.

Kjo pasi Bashkimi Europian ka reaguar, duke thënë se ligjet e brendshme të unionit, por edhe ato ndërkombëtare, nuk e lejojnë aplikimin e një marrëveshjeje të tillë.

E vetmja mënyrë që 20 emigrantët të dërgohen nga Italia në Tiranë, është që ata vetë të shfaqin vullnetin e tyre të lirë për të shkuar në Shqipëri.

Në të kundërt, një vend i unionit nuk mund t’i dërgojë emigrantët në një vend të tretë, pa shqyrtuar më parë kërkesën e tyre për azil. Aq më tepër, për t’i dërguar në Shqipëri, një vend që nuk është as vendi i origjinës, as destinacioni i tyre final dhe as vend tranzit në rrugën e tyre drejt BE-së.

“Për të dërguar emigrantët në Shqipëri, siç parashihet me marrëveshjen e arritur midis qeverisë së Romës dhe asaj të Tiranës, në rastin e personave të mbetur në anijen “Diciotti”, Italia duhet të marrë pëlqimin e vetë personave më përpara”, tha zëdhënësja e BE-së, Natasha Bertaud.

“Dërgimi i azilkërkuesit në një vend të tretë, pa e vlerësuar kërkesën për azil, përbën refuzim dhe nuk lejohet as nga BE dhe as nga e drejta ndërkombëtare”, theksoi Bertaud.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat