5200 studentë të rinj. Dekanët apel nxënësve: Mos nxitoni

Shqipëria

5200 studentë të rinj. Dekanët apel nxënësve: Mos nxitoni

Më: 31 gusht 2018 Në ora: 22:32
Mbyllet faza e parë 48 orëshe e regjistrimeve në universitet.

Në fazën e parë në universitete janë regjistruar vetëm 5200 studentë. Rektorët dhe dekanët u kanë bërë thirrje maturantëve që nuk janë në zonën e fituesve, të mos nxitohen të futen në degët e pa preferuara, pasi listat do të ndryshojnë me regjistrimin e atyre që janë fitues në shumë degë.

Mbyllet faza e parë 48 orëshe e regjistrimeve në universitet. Sipas të dhënave janë regjistruar 5200 maturantë, ose rreth 20% të totalit të aplikantëve. Dhe kryesisht janë ata maturantë që kanë një mesatare të lartë mbi 8.

“Në këtë fazë të parë janë regjistruar 4840 maturantë. Pjesa kryesore e tyre rreth 70% janë regjistruar në publike”, thotë Arjan Xhelaj, Drejtor i Rrjetit Akademik Shqiptar.

Pjesa më e madhe e kuotave janë të lira, përfshi edhe degët preferenciale të maturantëve siç janë Drejtësia, Ekonomiku, Informatika, por edhe degët e Inxhinierisë. Në universitetin e Tiranës nga 5 mijë kuota janë regjistruar vetëm 470 fitues. Dekani i Fakultetit të Ekonomisë, Dhori Kule u bën apel maturantëve që të mos i zerë paniku, por që të presin, pasi vija do ulet deri te 840 pikë.

“U bëj apel maturantëve që të mos nxitojnë dhe të regjistrohen, pasi vija do të ulet dhe do kenë mundësi të regjistrohen dhe ata maturantë që kanë marrë 850-840 pikë. Madje ne do miratojmë kuota shtesë për ata maturantë që duan të vijnë te Ekonomiku. Janë regjistruar 100 nga 1300 kuota”, shprehet Kule. 

Dega e studimit që ka numrin më të lartë të regjistrimeve është Mjekësia. Por edhe në këtë degë nesër pritet të shpallen 50 kuota të lira.

“Mjekësia ka 210 të regjistruar nga 260 kuota. 20 fitues janë regjistruar në degë të tjera”, thotë Xhelaj. Regjistrimi në universitete do të vijojë deri në datën 12 Shtator.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat