Denoncimi i PD, kush është banda që po bën terror në Shkodër

Shqipëria

Denoncimi i PD, kush është banda që po bën terror në Shkodër

Më: 1 shtator 2018 Në ora: 19:49
Ilustrim

Vrasja mafioze e Arjan Ferracakut këtë të shtunë ka rënduar edhe më tutje bilancin e vdekjeve të shumta në këtë qytet, çka ka bërë që PD të dalë në një konferencë për shtyp për të bërë publik emrin e bandës mafioze që sipas saj kontrollon të gjithë krimin në Shkodër.

PD përmes deputetit Salianji është shprehur se banda e familjes Bajraj është ajo që kontrollon krimin në Shkodër. Sipas Salianjit Bajrajt janë të lidhur ngushtë me qeverinë e të majtëve dhe kryeministrin Rama.

Salianji është shprehur se të gjithë shkodranët e dinë se çfarë po ndodh dhe se denoncimet e shumta të bëra në polici kundër kësaj bande kanë rënë në vesh të shurdhët pasi policia është instruktuar që të mos kryejë asnjë lloj operacioni kundër kësaj bande të lidhur me qeverinë.

DEKLARATA

Edi Rama dhe Fatmir Xhafaj edhe sot refuzuan të përballen me realitetin e përkeqësuar të sigurisë, duke fshehur situatën e rëndë kriminale në qytetet më të mëdha të vendit.

Në Fier, Vlorë, Durrës, Elbasan dhe Shkodër krimi sundon bashkë me qeverinë qëndrore dhe lokale të Edi Ramës, çka e provoi sot vrasja tjetër mafioze dhe e pazbuluar në Shkodër.

Vrasja e sotme është në serinë e vrasjeve dhe rrëmbimeve të ditëve të fundit në zonën e Shkodrës, ku në pak muaj ka patur 6 viktima, dy të zhdukur dhe 3 automjete të djegur. Familjarët dinë çdo motiv të krimeve që po kryhen nga bandat, edhe policia i di, edhe qytetarët e frikësuar flasin nën zë për autorët, por policia nuk ndërhyn për të gjetur autorët, sepse është ulur në prehrin e bandave me mbështetje politike.

Dy ditë më parë paralajmëruam që situata kriminale në qytetin e Shkodrës do të përkeqësohet akoma më shumë, sepse krimi dhe bandat e lidhura me qeverinë janë më të forta se ligji. Bashkëqeverisja e Edi Ramës me krimin është arsyeja pse më Shkodër rregjistrohet sot viktima e pestë në pak muaj dhe policia nuk gjen autorët që i njohin të gjithë.

Bashkëqeverisja e Edi Ramës me krimin është arsyeja pse policia hesht prej 10 ditësh për rrëmbimin dhe zhdukjen e dy kushërinjve që, siç thuhet në Shkodër, janë ekzektuar nga bandat që mbështesin dhe mbledhin vota për Edi Ramën në Shkodër.

Banda e lidhur me qeverinë dhe me Edi Ramën, që njihen në Shkodër si banda e Bajrajve, ka totalisht nën kontroll qytetin e Shkodrës, qytetarët e të cilit janë të terrorizuar, sepse, nën mbrojtjen e qeverisë, Bajrët bëjnë ligjin! Ata janë të paprekshëm dhe janë ata që vendosin për jetën dhe biznesin e shkodranëve.

Kryeministri dhe ministri i brendshëm kanë marrë mesazhe nga qytetarë të Shkodrës që denoncojnë dhe dëshmojnë për krimet e bandës së Bajrëve, por askush nuk përgjigjet! Mesazhet e qytetarëve përfundojnë në celularët e të paprekshmëve dhe bandave të qeverisë. Shqiptarët nuk e meritojnë këtë qeveri dhe kryeministër të lidhur kokë e këmbë me krimin e organizuar, por qytetarët duhet ta dinë se përsa kohë do të kemi një kryeministër të lidhur me krimin, jeta e tyre, familja, biznesi i tyre do të jenë në mëshirën e bandave.

Shqiptarët meritojnë një qeveri që lufton me zero tolerancë krimin e organizuar!

Partia Demokratike garanton qytetarët se që ditën e parë në pushtet do të nisë shtypjen dhe çmontimin e krimit të organizuar, ne do të realizojmë shkëputjen e politikës nga krimi dhe do të çojme prapa hekurave të burgut këdo që cënon sigurinë e qytetarëve shqiptarë.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat