Bizneset në borxh tek tatimet, ja si të paguajnë me këste

Shqipëria

Bizneset në borxh tek tatimet, ja si të paguajnë me këste

Më: 2 shtator 2018 Në ora: 09:08
Drejtoria e Përgjithshme e Tatimeve

Bizneset që kanë borxhe tek Tatimet për taksa të papaguara mund t'i shlyejnë ato më këste. Drejtoria e Përgjithshme e Tatimeve publikoi kushtet që duhet të plotësojnë bizneset për të përfituar mundësinë e shlyerjes së borxheve me taksa.

Sipas Tatimeve, për të përfituar nga kjo lehtësi tatimpaguesi duhet  të justifikojë më parë paaftësinë likujduese të përkohshme financiare.

‘Marrëveshja me këste nuk mund të zgjatet përtej fundit të vitit që pason vitin në të cilin është lidhur ajo. Në rastet e marrëveshjeve për pagesë me këste, tatimpaguesi paguan kamatëvonesat, por nuk llogaritet gjobë për pagesë të vonuar’, deklaroi Drejtoria e Përgjithshme e Tatimeve.

Sipas administratës tatimore, marrëveshja për pagesë me këste nuk mund të lidhet për detyrimin tatimor të vetëdeklaruar nga tatimpaguesi, i cili është llogaritur ose mbledhur prej tij, përfshirë kontributet e sigurimeve shoqërore dhe shëndetësore.

Hapat që ndiqen

Hapi i parë për të përfituar nga pagesa më këste e borxheve tatimore është plotësimi i një kërkesë me shkrim, që i drejtohet Drejtorisë Rajonale Tatimore nën juridiksionin e të cilës është regjistruar biznesi. Në këtë kërkesë, kompani që ka borxh duhet të shpjegojë rrethanat dhe arsyet se pse kërkon të lidh një marrëveshje për të paguar me këste detyrimet tatimore.

Pas plotësimit të kërkesës, drejtoria Rajonale Tatimore brenda 10 ditëve njofton nëse kërkesa pranohet apo refuzohet. Nëse kërkesa pranohet, nënshkruhet marrëveshja për pagesë me këste të detyrimeve tatimore të papaguara.

"Kjo marrëveshje nënshkruhet nga tatimpaguesi dhe nga drejtori i drejtorisë rajonale të tatimeve ose drejtuesi i njësisë së ngjashme me të, vetëm nëse tatimpaguesi paguan menjëherë 20% të vlerës së detyrimit, për të cilin lidhet marrëveshja e pagesës me këste," sqarojnë tatimet.

Me lidhjen e marrëveshjes Administrata Tatimore ndërpret masat e mbledhjes me forcë, të mbledhjes së detyrimeve tatimore, por ajo nuk tërheq masën e vendosur për të siguruar pagesën e detyrimit tatimor. Nënshkrimi i një marrëveshje për pagesën me këste të një detyrimi tatimor, nuk ndërpret llogaritjen e kamatvonesave për mospagim në afat të detyrimit tatimor të mbetur pa paguar.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat