INSTAT: Rritja e prodhimit bujqësor vendas solli rënie të çmimeve

Shqipëria

INSTAT: Rritja e prodhimit bujqësor vendas solli rënie të çmimeve

Më: 4 shtator 2018 Në ora: 16:32
Ilustrim

INSTAT publikoi për herë të parë Indeksin e Çmimeve në Bujqësi (IÇB), të shtrirë me vit bazë 2015 deri në 2017.

Referuar statistikave rritja e prodhimit bujqësor vendas ka ndikuar në ulen e çmimeve për këto produkte në tregjet e vendit, ku dominojnë rrethet Lushnje, Fier, Berat, etj., që janë edhe zonat me potencialin më të lartë të prodhimit bujqësor.

Indeksi i çmimeve të prodhimeve bujqësore në vitin 2017 shënoi një rënie me 0.7 % krahasuar me një vit më parë. Në vitin 2017, indeksi i çmimeve të prodhimeve bimore shënoi rënie me 0.9 %, dhe indeksi i çmimeve të prodhimeve blegtorale, shënoi rënie me 0.4 %, krahasuar me një vit më parë.

Sipas të dhënave të publikuara sot rritjen më të madhe vjetore e kanë shënuar, çmimet e grupit “Bimë industriale” me 22,25 %. Çmimet e grupit “Perime” janë rritur me 0,01 pikë përqindje. Gjithashtu çmimet e grupeve “Mish peshë e gjallë”, janë rritur me 2,65 pikë përqindje dhe “Drufrutorët” me 0,23 pikë përqindje.

Grupi i “Drithërave” ka shënuar një rënie me 11,62 %. Çmimet e grupit “Bimë foragjere” kanë rënë me 7.06 %. Çmimet e grupit “Patate” kanë rënë me 8.38 %. Çmimet e grupit “Qumësht dhe produkte të tjera blegtorale” kanë shënuar një rënie me 2.59 %.

INSTAT sqaroi se, indeksi i çmimeve të prodhimeve bujqësore mat ndryshimet e çmimeve të produkteve bujqësore në nivel vendi dhe mundëson krahasimin e tyre me shtetet e tjera.

Këto të dhëna japin informacion mbi ecurinë e çmimeve për prodhimet bimore, prodhimet e blegtorisë dhe produkteve të tjera blegtorale gjatë një periudhe të caktuar kohe. indekset e çmimeve të prodhimeve bujqësore llogariten duke përdorur “çmimet e prodhimit”, të grumbulluara në ferma, duke përjashtuar taksat.

Burimi i të dhënave është Anketa Mujore e Çmimeve të Produkteve Bujqësore. Në vitin 2017, indeksi vjetor i çmimeve të prodhimeve bujqësore (2015=100) arriti në 99.2, nga 99.9 që ishte në 2016.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat