PD ndërmerr nismë ligjore: Vetting për politikanët!

Shqipëria

PD ndërmerr nismë ligjore: Vetting për politikanët!

Më: 6 shtator 2018 Në ora: 11:27
Lulzim Basha

Partia Demokratike do të ndërmarrë nismë ligjore për vetingun në politike dhe ka qenë vetë kryetari i saj,Lulzim Basha në takimin e opozitës në Elbasan që ka shpallur katër objektivat e “e platformës për çlirimin e qeverisë nga krimi”, siç e quan ai.

“Vendimi ynë është t’i japim fund një elite politike të lidhur me krimin dhe të çojmë politikanët e lidhur me krimin, në radhë të parë jashtë institucioneve, dhe pastaj para një drejtësie të reformuar dhe jo para një drejtësie të kapur”, tha Basha në fillim të mbledhjes së opozitës.

Sipas njoftimit zyrtar, PD beson se duhet zbatimi i vettingut dhe masa e kontrollit të figurës edhe për politikanët dhe zyrtarët e të tjerë të lartë publikë pasi:

• dekriminalizon plotësisht qeverisjes dhe politikën
• lufton me tolerancë zero korrupsionin dhe krimin
• ndalon aleancat mes politikanëve dhe grupeve kriminale
• pastron nga rradhët e politikanëve dhe zyrtarëve të lartë individë të korruptuar dhe të lidhur me krimin e organizuar.
•garanton qeverisje pa ndikimin e krimit të organizuar

Ligji i propozuar nga Partia Demokratike për realizimin e vettingut edhe ndaj deputetëve, Kryeministrit, ministrave, kryetarëve të bashkive dhe drejtuesve të institucioneve kushtetuese, është një mundësi reale për fillimin e çlirimit të qeverisjes nga krimi. Ai zgjidh fenomenin e hasur pas miratimit të ligjit të dekriminalizimit, atë të zëvendësimit në institucionet shtetërore të vetë eksponentëve të botës së krimit, me individë të lidhur drejtëpërdrejtë, në shërbim apo të caktuar prej tyre.
“Opozita kërkon miratimin e këtij ligji, pa asnjë vonesë, me qëllim zbatimin e menjëhershëm, duke i hapur rrugë kështu procesit të vettingut për të gjithë politikanët në detyra shtetërore dhe zyrtarët e tjerë të lartë publikë. Partia Demokratike kërkon që ligji të përkrahet nga të gjitha forcat politike në Kuvend, si një tregues i vullnetit të tyre të sinqertë për dekriminalizimin e plotë të politikës, vettingut ndaj çdo funkisonari kushtetues, dhe mospërdorimit të krimit për të ardhur në pushtet apo mbajtur pushtetin. “, thuhet në njoftimin e PD-së.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat