Tre sulme të rënda ndaj gazetarëve Meta: Të marrë fund mosndëshkimi i këtyre krimeve - Bota Sot
Tre sulme të rënda ndaj gazetarëve Meta: Të marrë fund mosndëshkimi i këtyre krimeve

Shqipëria

E diel, 21 tetor 2018

Tre sulme të rënda ndaj gazetarëve Meta: Të marrë fund mosndëshkimi i këtyre krimeve

Më: 10 shtator 2018 Në ora: 16:11
Ilir Meta dhe Julian Shota

Presidenti i Republikës, Ilir Meta zhvilloi sot një takim me gazetarin e “Report TV”, z.Julian Shota, i cili u kërcënua me jetë pak ditë më parë në krye të detyrës.

Presidenti Meta pasi u njoh nga gazetari Shota me rrethanat në të cilat ndodhi ngjarja, shprehu shqetësimin e tij të thellë dhe dënoi me ashpërsi rastet tronditëse të ndodhura së fundmi, të kërcënimeve dhe agresioneve ndaj gazetarëve.

Kreu i shtetit e inkurajoi gazetarin Shota të vijojë misionin e tij, me guxim, pa u trembur e shantazhuar nga askush dhe shprehu solidarizimin e plotë me të gjithë komunitetin e gazetarëve.

Meta përsëriti apelin e tij drejtuar institucioneve ligjzbatuese për të vepruar me shpejtësi për hetimin e zbardhjen e autorësisë dhe motiveve të këtyre sulmeve ndaj gazetarëve, fatkeqësisht të shpeshtuara, pasi siç theksoi “çdo vonesë në këtë drejtim do të ndikojë negativisht në klimën e lirisë së shprehjes në Shqipëri”.

“Kërcënimi me jetë i gazetarit, Julian Shota, sulmi me armë ndaj banesës së prindërve të gazetares, Klodiana Lala dhe moszbulimi i autorëve të rrahjes barbare së gazetarit, Elvi Fundo, janë ngjarje tepër të rënda që na ftojnë të gjithëve, veçanërisht organet e sundimit të ligjit, të hetojnë me shpejtësi, transparencë, në mënyrë të plotë e shteruese, të venë para ligjit këdo që qëndron pas tyre dhe të punojnë maksimalisht për parandalimin e rasteve të ngjashme në të ardhmen. Mosndëshkimi i krimeve kundër gazetarëve duhet të marrë fund njëherë e përgjithmonë”, - theksoi Presidenti Meta.

“Raportimet se në dy vitet e fundit, të paktën 12 gazetarë kanë kërkuar azil në vendet e BE-së dhe SHBA për shkak të rreziqeve të punës, ndërsa 34 të tjerë kanë kërkuar shtetësi në vende të tjera, janë tronditëse. Ndaj e nënvizoj se liria e medias është kusht i pazëvendësueshëm për garantimin e të drejtave të njeriut në një shoqëri demokratike”, – u shpreh Presidenti Meta.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat
Sondazh
test