538 nxënës në Përmet përfitojnë librat falas - Bota Sot
538 nxënës në Përmet përfitojnë librat falas

Shqipëria

538 nxënës në Përmet përfitojnë librat falas

Më: 10 shtator 2018 Në ora: 22:11
Foto ilustrim

Një javë para fillimit të vitit të ri shkollor, ministrja e Kulturës, Mirela Kumbaro, është ndalur në shkollat e ciklit të ulët në Përmet, Gjirokastër dhe Nepravishtë, për t’u shpërndarë librat shkollorë falas nxënësve nga klasa e parë deri në klasë të katërt.

Në Përmet janë rreth 538 nxënës të arsimit fillor të cilët do të përfitojnë nga ky vendim i qeverisë shqiptare.
Kumbaro theksoi se “ky fillim viti do të ketë më pak shpenzime për prindërit, sidomos për ata prindër të cilët kanë më shumë se një fëmijë në shkollë duke i evituar blerjen e teksteve shkollore. Vitin e ardhshëm do t’u dhurohet edhe fëmijëve që fillojnë klasën e pestë, duke i kushtuar vëmendje të veçantë arsimimit të fëmijëve e sidomos atij të detyruar”.

Gjatë vizitës në shkollat “Meleq Gosnishti”, “Nonda Bulka” në Përmet, Ministrja zhvilloi takime edhe me mësuesit e shkollave për të identifikuar nevojat e tyre dhe të nxënësve.

Pas shpërndarjes se teksteve Kumbaro theksoi se: “Edukimi përmes kulturës, përmes leximit, mbetet një nga prioritetet e kësaj qeverie dhe i Ministrisë së Kulturës. Shpejt ne do të jemi sërisht së bashku, për të shtuar fondin e librave artistikë në bibliotekën e shkollës”.

Ministria e Kulturës ka ideuar një ndër projektet më ambicioze në mbështetje të librit dhe nxitjes së leximit, projektin për “Rijetëzimin e bibliotekave”, i cili parashikon dhurimin e librave bibliotekave të rretheve dhe sidomos të bibliotekave në zonat periferike. /ATSH

Shfaq komentet
comments powered by Disqus
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat