Basha, plan me 5 pika që Rama të pranojë “vetingun e politikës”

Shqipëria

Basha, plan me 5 pika që Rama të pranojë “vetingun e politikës”

Më: 14 shtator 2018 Në ora: 08:51
Lulzim Basha

Nga Durrësi, ku opozita u mblodh këtë të enjte, kreu i Partisë Demokratike, Lulzim Basha theksoi se qëndrimi i opozitës në lidhje me ligjin për vettingun nuk do të ndryshojë. Ai paralajmëroi se aksioni do të intensifikohet nëse mazhoranca nuk e voton. Gjithashtu, Basha paralajmëroi se nuk do të ketë negociata me Ramën në lidhje me këtë projektligj, pasi vetingu i politikanëve nuk pengon reformën në drejtësi. “Dua t’i them qytetarëve, se ne e kemi dëgjuar dhe e kemi ndjerë mbështetjen tuaj të plotë. Kam marrë mijëra mesazhe nga ju, ju e doni vetingun në politikë dhe vetingu do të bëhet. Fatmir Xhafaj, Taulant Balla, Jurgis Çyrbja, Edi Rama dhe kushdo tjetër është i lidhur me krimin, do të marrin atë që meriton. Vetingu në politikë nuk e përjashton hetimin nga drejtësia, ai është një proces paralel. Prandaj le t’i hedhim poshtë mashtrimet e Ramës dhe politikanëve të tjerë të lidhur me krimin, të cilët kanë për qëllim të pengojnë këtë proces kushtetues që opozita e ka formuluar si një përgjigje kombëtare ndaj emergjencës së bashkëqeverisjes së Ramës me krimin. Vetingu i politikanëve nuk ka ndikim negativ në reformën në drejtësi”, tha Basha.

Zbardhen pesë pika kryesore të platformës

Gjatë fjalës së tij në mbledhjen e opozitës në Durrës, Basha ka zbardhur planin me pesë pika të opozitës në ditët e ardhshme:

1. Ultimatumi për Ruçin.
2. PD do të publikojë fakte tronditëse që tregojnë sesi Edi Rama dhe Fatmir Xhafaj kanë përdorur pushtetin politik për të shtënë në dorë lojërat e fatit dhe për përdorimin e tyre për pastrimin e parave të pista të drogës dhe korrupsionit.
3. Për vjedhjen me ligjin Fusha – Rama, po të ishim një vend normal, do të duhej që Rama të jepte dorëheqjen. Por ai u zhduk 5 ditë në New York për të vjedhur konsullatën shqiptare dhe për të ndërtuar grataçelën atje me miqtë e tij.
4. Ligji Antimafia është bërë gati. Parashikon anulimin e çdo koncesioni korruptiv. Koncesioni korruptiv i Rrugës së Kombit është i papranueshëm është krim i shumëfishtë, të cilin  opozita nuk e pranon. Paralajmërim për këdo që vjedh bashkë me Ramën: Do të hetoheni nga dita e parë e biznesit. Veting financiar. Edhe nëpunësit do të ndiqen nga më i thjeshtë tek kryeministri. Sikur asgjë tjetër të mos bëjmë, kësaj do t‘i shkojmë deri në fund. Qindra milionë euro do të zbulohen dhe do t’u kthehen shqiptarëve.
5.Vetingu nuk pengon, kufizon hetimin e politikanëve as familjarëve të tyre. Cili është qëndrimi i PS për hetimin e Olsi Ramës, të Agron Xhafajt? Pse nuk e thotë Edi Rama këtë? Edi Rama ka frikë nga vetingu. Teza e tij se PD do që të pengojë reformën në drejtësi me vetingun në politikë, është gënjeshtra më e trashë që ka qarkulluar që nga koha e Adil Çarçanit. Të thuash se vetingu i politikanëve pengon reformën në drejtësi është njësoj si të thuash se vetingu në polici pengon reformën në drejtësi.

Reagimi

Kjo iniciativë është refuzuar nga maxhoranca, e cila ditën e djeshme, nga salla e kuvendit argumentoi qëndrimin kundër vetingut të Bashës, pasi sipas tyre përjashton ndërkombëtarët, BKH dhe SPAKU-n. Në fillim të seancës, deputetët e maxhorancës kritikuan kolegët opozitarë për mungesën e tyre në sallë, duke mos justifikuar rrogat e tyre dhe detyrën për të votuar ligje të rëndësishme në Kuvend. Në rendin e ditës ishin në votim dekreti i Presidentit Meta për tatim-fitimet dhe projektligji për ish-të përndjekurit politikë. Kreu i grupit Parlamentar të Partisë Socialiste, Taulant Balla shigjetoi sërish kryeopozitarët Lulzim Basha dhe Monika Kryemadhi për nismën e propozuar prej tyre, që vetingut t’i nënshtrohen edhe politikanët. Sipas Ballës, nisma e opozitës kërkon që politika shqiptare të bëjë vetingun e vetvetes, por kjo gjë nuk mund të ndodhë, pasi reforma në drejtësi e votuar dy vite më parë në Kuvend ia njeh këtë të drejtë SPAK-ut dhe BKH-së. “Nisma jote do të thotë që politika të vetojë vetveten, ndërsa sipas SPAK, vetingun nuk e bëjnë dot ca kukulla të politikës, por ndërkombëtarët. Juve s’ka nevojë t’ju kesh përballë për të kuptuar hallin tuaj. E di hallin që keni, nuk duam, tha njëri prej jush që vetingun ta bëjnë ndërkombëtarët, se na janë bërë si guvernatorë, tha një tjetër”. Balla thotë se si Basha ashtu edhe Berisha nuk mund ta kalojnë kurrë vetingun. “Për mua ti në veting, nuk kalon kurrë me sa ke mbi supe, ti dhe Saliu. S’mund ta bëj unë vetingun tim, tëndin, të Metës e Ramës, mund ta bëjë vetëm SPAK e BKH”, tha Balla.

Denoncimi

PD paralajmëroi dje, se do të publikojë fakte tronditëse, se Rama dhe Xhafaj kanë përdorur pushtetin politik për të ndihmuar bandat e krimit të organizuar për të shtënë në dorë lojërat e fatit. “Sot Kuvendi, foleja e krimit do të hedhë poshtë dekretin e presidentit që kthen pas një nga aktet më korruptive të Edi Ramës, ligjin fiskal për lojërat e fatit. 23% paguajnë bizneset e  ndershme nga taksa progresive, frymëmarrëse dhe i detyron të mbyllin dyert 45 biznese në ditë. Por për lojërat e fatit taksa e ulët 15%. Duke nisur që nesër PD do të publikojë fakte tronditëse, që tregojnë sesi Rama dhe Fatmir Xhafaj kanë përdorur pushtetin politik për të ndihmuar bandat e krimit të organizuar për të shtënë në dorë lojërat e fatit dhe për t’i përdorur ato për aktivitetin kriminal, që nuk është më mbjellja e kanabisit, ndonëse vazhdon. Por është pastrimi i parave të pista të kokainës, heroinës dhe aferave korruptive të Ramës dhe bandës së hajdutëve të tij në qeveri”, theksuan ata.

Zgjidhja: Reforma zgjedhore duhet të diskutohet edhe me partitë e reja

Raportuesi për Shqipërinë në Parlamentin Evropian, Knut Fleckenstein, në një intervistë për “Shekulli” u shpreh se në kodin zgjedhor në fuqi ekzistojnë rekomandime të pazgjidhura nga ana e OSBE/ODIHR-it dhe shpreson se ndryshimet përkatëse bëhen në kohë për zgjedhjet lokale të vitit 2019. Europarlamentari Fleckenstein tha se edhe partitë e reja duhet të bëhen pjesë e diskutimeve për reformën zgjedhore.

ZGJIDHJA dhe dhjetëra parti të tjera kanë marrë përsipër që të sensibilizojnë dhe informojnë institucionet vendase dhe të huaja në Shqipëri dhe në Europën Perëndimore për domosdoshmërinë e përmbylljes së reformës zgjedhore, sipas rekomandimeve të OSBE/ODIHR-it brenda pak muajsh dhe në diskutime të përfshihen të gjitha partitë politike, duke ua hequr monopolin PS-PD, me qëllim që vendi të mbajë zgjedhje të lira dhe të barabarta.

Kryemadhi: Rama të thotë, nëse është pro apo kundër vetingut

Kryetarja e LSI-së, Monika Kryemadhi, pas takimit me partitë opozitare në Durrës, paraditen e djeshme, i është kundërpërgjigjur akuzave të Taulant Ballës nga salla e parlamentit, i cili tha se opozita i druhet vetingut të ndërkombëtarëve. Kryemadhi i kujton Ballës makinën “Toyota Yaris”, duke treguar se shqiptarët presin me padurim pastrimin e klasës politike që merren me trafik kokaine. “Kjo është qesharake! “Toyota Yaris” nuk ishte e opozitës. Ajo ishte e Taulant Ballës. Kështu që s’ka pse t’i trembet opozita Vettingu-t. Opozita e ka bërë vetting-un e saj. Ata të thonë janë pro apo kundër vetingut. Dhe kjo është mëse e qartë. Shqiptarët presin me padurim pastrimin e klasës politike nga ata që merren me Toyota Yarsi, nga ata që merren me trafikimin e kokainës nga Kolumbia dhe të gjithë segmentet e tjera kriminale të cilët kanë uzurpuar dhe kanë grabitur jetën e shqiptarëve. Kjo është mëse e qartë dhe shqiptarët e kanë shumë të qartë. Çdo aludim apo fshehje emocionale që ata kanë apo makth brenda vetes së tyre e kanë të pamundur ta shmangin duke u shfokusuar”. Kryemadhi ka kërkuar një përgjigje të prerë nga socialistët për vetingun, e cila ndikon në agjendën e ardhshme të opozitës. “Opozita është mëse e qartë në aksionin e saj politik. Ne po presim nëse janë pro apo kundër Veting-ut të politikës dhe ndërkohë vazhdojmë aksionin tonë politik. Nuk mund të na ndërhyjnë dot më çdo ditë dhe më shumë. Po të ishim gabim, ne nuk do të na afroheshin partitë e tjera politike dhe Edi Rama nuk do të ngelte vetëm”, tha Kryemadhi. Nëse maxhoranca nuk negocion për vetingun e politikanëve, Kryemadhi tregon, se axhenda politike do të jetë surprizuese për qeverinë “Opozita është shumë e qartë. Ju thashë do të jetë një axhendë shumë surprizuese jo vetëm për qeverinë e Z. Rama por edhe për ju gazetarët. E di Rama ka ngelur i vetëm dhe ndodhet në një situatë të vështirë. Është e rëndësishme angazhimi i të gjitha strukturave të politikës. Sot e vetmja ndasi është ndasia me krimin e organizuar dhe me grupin kriminal që ka kapur qeverinë shqiptare”, tha ajo.

Dekreti

Lojërat e fatit, mazhoranca refuzon Metën

Kuvendi i Shqipërisë, ashtu siç kishte paralajmëruar, ka rrëzuar dekretin e Presidentit Meta për Ligjin mbi Tatimin mbi të ardhurat pika për lojërat e fatit. Dekreti është rrëzuar më 74 vota, ndërsa opozita nuk ishte e pranishme në seancë, pasi vijon bojkotin e parlamentit prej nisjes së sesionit të ri në datë 3 shtator. Në seancën e djeshme ministri Ahmetaj dhe kryetari i Komisionit të Ekonomisë, Braçe rrëzuan argumentet e Presidentit Meta. Ndërsa projektligji për Magjistratët dhe ai për Kodin Ajror u shtynë, pasi kërkojnë 84 vota, të cilat maxhoranca nuk i plotëson dot pa ndihmën e opozitës. Deputeti i PS, Erjon Braçe, gjatë seancës së djeshme në Kuvend ka folur për dekretin e Presidenti mbi të ardhurat nga tatim-fitimi. Braçe theksoi se në vitin 2006, kur erdhi PD në pushtet, tatimin e fitimit e bëri 0%, ndërsa për kompanitë 20%. Sipas Braçes, PD i ka favorizuar lojërat e fatit dhe tashmë duhet të merren masa për ndalimin e të rinjve, të cilët frekuentojnë këto lojëra fati dhe pika bastesh sportive. “Partia Demokratike ka akuzuar maxhorancëen se ka favorizuar lojërat e fatit. Barra fiskale nuk ka ndryshuar, është shumë e qartë që propaganda është e PD-së. Të rinj gjen me tepri në pikat e basteve sportive. Ligji përcakton ndalimin e reklamimit të lojërave të fatit në fasadat e tyre”. Dhe nëse kjo nuk mund të ndodhë për shkak të lirisë së ushtrimit të aktivitetit, deputeti socialist propozon që të bëhet vetingu i gjithë pronarëve të këtij aktiviteti. “Në këtë segment të biznesit ka hyrë edhe krimi i organizuar, po përdoret dhe paraja e pisët dhe pa asnjë lloj diskutimi do të duhet që të gjitha agjencitë ligj zbatuese të shtetit të bëjnë atë që është themelore tani: Veting për të gjithë pronarët e lojërave të fatit”.

Qeveria: Gati të ulemi, të diskutojmë me opozitën për propozimin

Zëvendëskryeministrja Senida Mesi i dha nga foltorja e Kuvendit një mesazh opozitës për negociata. “Jemi gati të ulemi me opozitën për të diskutuar çdo lloj propozimi, por nuk pranojmë asnjë kompromis në lidhje me reformën në Drejtësi”, deklaroi Mesi. “Të dy institucionet kalojnë në sitë lidhjet e politikanëve me krimin, por edhe pasuritë dhe pronat e tyre. SPAK dhe Byroja e hetimit nuk mjaftohen vetëm me largimin, por garantojnë masa ndëshkimore për politikanët e korruptuar. Vetingu i politikës nuk do bëhet vetëm nga politikanët, por nga organet e pavarura të Drejtësisë nën monitoronim e BE-së dhe SHBA-së. Ne jemi gati për Vetingun e vërtetë, ndaj mbështesim reformën në Drejtësi që nga dita e parë me qëllim që infrastruktura e re në drejtësi të marrë jetë”, Mesi.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat