Të vegjlit, kundër bojkotit. PR, PDK e LZHK, të pashqetësuar për PDIU. Dule…

Shqipëria

Të vegjlit, kundër bojkotit. PR, PDK e LZHK, të pashqetësuar për PDIU. Dule…

Më: 17 shtator 2018 Në ora: 21:14
PR, PDK e LZHK

Sali Berisha është i pari që foli për bojkot të zgjedhjeve në kampin opozitar, duke ngritur pikëpyetjen ashtu si një vit më parë, kur ishin në çadër, nëse opozita duhet apo jo të futet në zgjedhje me Edi Ramën kryeministër.

Demokratët, pas deklaratës së fortë të ish-liderit të tyre kanë heshtur, ndërsa publikisht janë pozicionuar menjëherë aleatët. Republikanët dhe Lëvizja për Zhvillim Kombëtar i japin të drejtë alarmit të ish-liderit demokrat, por nuk janë dakord me idenë e bojkotit.

Dashamir Shehi, kreu i LZHK-së, thotë: “Zgjedhjet demokratike janë pothuajse të pamundura, mirëpo edhe bojkoti nuk duhet promovuar, pasi jemi forcë demokratike. Sidoqoftë, shkëmbimi i pushtetit do të bëhet vetëm nëpërmjet zgjedhjeve”.

Fatmir Mediu, kreu i PR-së, deklaron: “Ka vetëm një mënyrë për ta frenuar manipulimin e procesit zgjedhor: një sistem me lista të hapura do ta kufizonte mundësinë e manipulimit të procesit zgjedhor. Kjo është një luftë dhe opozita nuk mund të tërhiqet nga kjo luftë sepse është lufta që duhet të bëjnë të gjithë shqiptarët për të qenë europianë. Tërheqja do të ishte disfatë në raport me qytetarët”.

Demokristianët mbështesin idenë se të futesh në zgjedhje me Edi Ramën është vetëvrasje politike. Mesazhin politik e kanë për Lulzim Bashën dhe balancat që lideri i opozitës duhet të mbajë mes aleatëve.

Nard Ndoka, i cili me kreun e PBDNJ-së ndan jo vetëm tryezat opozitare, por edhe kafet miqësore, lë të kuptohet se minoritarët nuk do të largohen nga koalicioni: “Unë nuk shoh rrezik për largimin e Vangjel Dules, për faktin se edhe PDIU dhe Idrizi duhet të jenë të kujdesshme tashmë me deklaratat publike. Nuk e largon nga koalicioni një parti apo një individ”.

Rikthimi i Shpëtim Idrizit në opozitë nuk ka shqetsuar aleatët historikë të Partisë Demokratike, për sa kohë armiku i përbashkët, thonë ata, është Edi Rama. Por, ende duhet pritur fjala e fundit e Vangjel Dules, i cili pas takimit me Bashën e la të hapur mundësinë e largimit nga koalicioni opozitar.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat