“A je i zoti ta shikosh?”, babai rrëfen humbjen e djalit 25-vjeçar

Shqipëria

“A je i zoti ta shikosh?”, babai rrëfen humbjen e djalit 25-vjeçar

Më: 20 shtator 2018 Në ora: 23:26
Pamje nga aksidenti

Albert Bozhani tregoi në emisionin “Stop” sesi mori vesh lajmin e tmerrshëm pasditen e 3 Majit të vitit 2017, që i biri 25-vjeçar, Besari ishte përfshirë në një aksident të rëndë në rrugën nacionale Korçë-Ersekë .

“Është e vështirë ta kujtoj… Ne ishim në shtëpi, djali kishte 2 ditë që ishte larguar nga shtëpia sepse punonte në Korçë. Rreth orës 19:00 morëm një telefonatë, ku na thonë që djali ka bërë një aksident të lehtë në Korçë, por e mirë është që të niseni. Mora tim shoqe, xhaxhain dhe u nisëm me urgjencë drejt Korçës. Gjatë kësaj kohe ne jemi telefonuar disa herë nga Jorida Feçi, që në atë kohë ishte shefe e Burimeve Njerëzore të kompanisë (ku punonte i biri), e cila na mbajti me shpresë që aksidenti nuk ishte i rëndë. Kur mbërritëm në Korçë, unë kuptova diçka, më saktë gjithçka, vetëm nga pamja dhe pyetja e doktorit: ‘A je i zoti ta shikosh?’ Këtu e kuptova që djalin e kisha humbur…”, rrëfeu mes lotësh i ati i 25-vjeçarit të aksidentuar rëndë.

Ai shtoi se ditën tjetër, Besari u dërgua me helikopter në Tiranë për një trajtim më të specializuar, por pas 4 ditësh humbi jetën. Veç fatkeqësisë, atij i duhej të përballej edhe me manipulimin e dosjes hetimore për këtë ngjarje. Emisioni “Stop” rindërtoi skemën e ngjarjes, duke u bazuar në materialet e siguruara nga Prokuroria e Korçës, për të zbardhur aksidentin e datës 3 Maj 2017, ku u përfshinë 3 makina.

Sipas një dëshmitari okular, dy makinat, të cilat drejtoheshin nga dy shtetas të huaj, një francez dhe një holandez, ishin duke bërë gara me shpejtësi shumë të lartë, përtej normave të lejuara.

Gjatë parakalimit të shtetasit holandez, makina kaloi në sensin tjetër të rrugës duke gërvishtur automjetin e Besar Bozhanit. Ky i fundit humbi kontrollin, automjeti u rrotullua dy herë dhe më pas u përplas me automjetin e shtetasit francez.

Prokuroria e Korçës hoqi nga hetimi drejtuesin holandez, i cili sipas dëshimve, mund të ishte shkaktari i aksidentit të rëndë. Më pas prokuroria vendosi të mos mbajë dy automjetet e drejtuesve të huaj në cilësinë e provës dhe këta të fundit ditën tjetër u larguan nga Shqipëria. Sipas Prokurorisë së Korçës, faji ishte i drejtuesit 25-vjeçar Besar Bezhani, i cili humbi jetën.

Më 9 Qershor 2017, prokurori i parë i çështjes, Kol Hysenaj vendosi mosfillimin e hetimeve për aksidentin e ndoshur në fshatin Dvoran të Korçës, me pasojë vdekjen e një personi.

Sipas gazetarit të emisionit “Stop”, në këtë aksident i manipuluan disa prova si dëshmia e shtetasve të huaj, të cilët kanë dhënë deklarata të ndryshme në lidhje me vendodhjen e makinës së tyre në këtë aksident, nuk u janë mbajtur automjetet në cilësinë e provës dhe largimi i tyre i menjëhershëm nga Shqipëria.

“Në momentin e goditjes makina e atij ka qenë këtu, ndërsa makina e djalit ka qenë 5-6 metra më larg. Në qoftë se makina e tyre do të ishte me 55 km/h, siç e nxjerrin ata, atëherë maksimumi do të ishte ngjitur me makinën e djalit, nuk do ta shtynte. Një makinë që është duke u rrotulluar në vend, çfarë force ka? Mund të vijë një ekspert këtu nga prokuroria të më shpjegojë çfarë force goditëse ka një makinë që rrotullohet në vend?”, u shpreh i ati i viktimës, Albert Bozhani. Ai shtoi se nuk është bërë as kontrolli autoteknik i automjetit të të birit dhe as i dy automjeteve të tjera.

Gjykata e Korçës vendosi zgjerimin e hetimeve në prokurori për hetim, ku iu besua prokurorit Edmond Shytka. Ky i fundit urdhëroi bërjen e akteve të ekspertimit për të zbardhur dinamikën e aksidentit, por la në hije provat më kryesore.

Gazetari i emisionit “Stop” tha se prokurori Shytka nuk ka një shpjegim për parregullsitë e hetimit, largimin e drejtuesve të huaj nga Shqipëria, si dhe deklaratat e tyre kontradiktore.

I ati i viktimës, Albert Bozhani sëbashku me kamerën e fshehtë të emisionit “Stop” iu drejtuan Prokurorisë së Korçës për ballafaquar me prokurorin Edmond Shytka.

Babai i viktimës – Dua të vërtetën, çfarë i ka ndodhur djalit tim!

Prokurori Edmond Shytka – Jo mo, ti nuk do të vërtetën…

Babai i viktimës – Po dua të vërtetën… atë dhe që i takon djalit tim.

Prokurori Edmond Shytka – Sigurisht është e drejta jote! Ku ka zë, s’është pa gjë. S’e njoh fare francezin, se po të shikosh aktet, kanë dalë para se të merrja unë dosjen.

Babai i viktimës – Po si do ta njohësh francezin? Aksidenti ka ndodhur në 17:00 pasdite. Francezi në 10.00 paradite çau ferrën iku, të lutem, pra kjo është një…  është e tmerrshme…

Prokurori Edmond Shytka – Kur kam hyrë unë në këtë dosje?

Babai i viktimës – Dakord mo dakord, po këto duhet t’i kishit parë! Këto duhet t’i rishikoni edhe njëherë, këto shkelje që ka bërë ish-kolegu juaj?

Prokurori Edmond Shytka – Jo, nuk ka shkelje!

Babai i viktimës – Në rregull! Sipas jush nuk ka shkelje? Ok!

Prokurori Edmond Shytka – Mund të ketë ndonjë mangësi, por jo shkelje, se fjala shkelje është e rëndë.

Babai i viktimës – Po mangësi, shkelje njëlloj është. Të mos bllokosh mjetin, dy mjetet sa të mbyllet çështja është e tmerrshme. Të iki francezi për 12 orë nga Shqipëria… Ku u hetua ai? Ku u hetua aksidenti për 12 orë? Për gjithë natën e hetoi policia? Kaq të zotët qënkemi ne?

Prokurori Edmond Shytka – Nuk e di kur ka ikur ky francezi…

Babai i viktimës – Është në sistemin TIMS zoti prokuror. Mund ta kërkosh!

Prokurori Edmond Shytka  – Ju s’e merrni dot sistemin TIMS.

Babai i viktimës – E marr, e marr!

Prokurori Edmond Shytka  – Nuk e merr dot me ligj.

Babai i viktimës – Me ligj jo, por e marr me Maliq. Shqipëria kështu është: ligj e Maliq.

Prokurori Edmond Shytka  – Me Maliq mund ta marrësh! Me ligj jo!

Babai i viktimës – Kaq kisha!

Prokurori Edmond Shytka – Po mirë! Ok!

Gjykata e Apelit Korçë, më datë 17 Korrik 2018 vendosi lënien në fuqi të vendimit të Gjykatës së Shkallës së Parë, duke i lënë përsëri detyra për hetimin e detajuar të këtij aksidenti Prokurorisë Korçë.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat