“Buenos Aires 2018”, Meta i dorëzon flamurin ekipit shqiptar

Shqipëria

“Buenos Aires 2018”, Meta i dorëzon flamurin ekipit shqiptar

Më: 21 shtator 2018 Në ora: 13:21
Presidenti i Republikës ia dorëzoi Flamurin Kombëtar boksieres Elsidita Selaj, flamurmbajtëses së ekipit të të rinjve shqiptarë.

Gjatë një ceremonia në Presidencë ditën e sotme, Presidenti Meta i ka dorëzuar flamurin kombëtar ekipit dhe delegacionit zyrtar, që do të përfaqësojnë Shqipërinë në edicionin e tretë të Lojërave Olimpike Rinore “Buenos Aires 2018”, që do të zhvillohen në Argjentinë nga data 6 deri më 18 tetor 2018.

Në fjalën e tij përshëndetëse në këtë ceremoni, Presidenti Meta duke iu drejtuar sportistëve, të cilët do të garojnë në disiplina të ndryshme si boks, peshëngritje, atletikë dhe not, vuri në dukje se në këto Lojëra Olimpike ekipi ynë kombëtar i të rinjve i ka të gjitha mundësitë që falë talentit, pasionit rinor për sportin dhe përkushtimit të tyre, të arrijnë rezultate mbresëlënëse.

Duke i uruar suksese dhe përfaqësim sa më dinjitoz të ngjyrave kuq e zi, Presidenti i Republikës ia dorëzoi Flamurin Kombëtar boksieres Elsidita Selaj, flamurmbajtëses së ekipit të të rinjve shqiptarë.

“Ju falënderoj Zoti President për mikpritjen që na rezervuat! Dua të theksoj që është një nder i madh të mbaj Flamurin Kombëtar dhe së bashku me shokët e skuadrës të përfaqësojmë shtetin tonë në Lojërat Olimpike Rinore. Shpresoj të bëjmë një paraqitje sa më dinjitoze që të kthehemi me rezultate sa më të larta!” – u zotua sportistja Selaj në emër të të gjithë Ekipit Olimpk Shqiptar të të Rinjve.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat