“Përgjigja ime”, Rama: Rilindja e qendrave shëndetësore, motiv për infermierët për të qëndruar në Shqipëri - Bota Sot
“Përgjigja ime”, Rama: Rilindja e qendrave shëndetësore, motiv për infermierët për të qëndruar në Shqipëri

Shqipëria

E hënë, 22 tetor 2018

“Përgjigja ime”, Rama: Rilindja e qendrave shëndetësore, motiv për infermierët për të qëndruar në Shqipëri

Më: 24 shtator 2018 Në ora: 20:34
Foto ilustrim

Rilindja e 300 qendrave shëndetësore është një punë pozitive për vendin dhe do të motivojë gjithashtu më shumë infermierët e mjekët të punojnë në vendin tonë, ashtu siç motivon qëndrimin në Shqipëri të mjekëve dhe infermierëve e politikës së shpërblimeve me 25000 lekë mbi pagën fikse, për këdo që zgjedh të punojë në spitalet e rretheve.

Kryeministri Edi Rama, duke iu përgjigjur një komentueseje në rubrikën “Përgjigja ime”, e cila ishte skeptike mbi investimet e qeverisë në qendrat shëndetësore, pasi sipas saj infermierët po largohen nga Shqipëria, u shpreh se Rilindja e qendrave shëndetësore është një iniciativë pozitive, edhe pse mbetet shumë për t’u bërë për shëndetësinë.

“Përshëndetje! Pra nuk je dakord me rilindjen e 300 qendrave shëndetësore. Për ty këto qendra të rrënuara nga Tropoja, deri në Konispol nuk duhen rindërtuar, sepse sipas teje, të gjithë mjekët dhe infermierët paskan ikur nga vendi e paskan mbetur veterinerë. Madje mendon se mua s’më bëhet vonë për këtë fakt, fakt ky që nuk është aspak i vërtetë. Përtej faktit grotesk se ikja e infermierëve nga Shqipëria interpretohet si një kolerë që i ka rënë ekskluzivisht vendit tonë, ndërkohë që kemi shembullin e Kroacisë, ku kanë ikur më shumë persona se nga vendi ynë. Vendi ynë s’ka mungesë mjekësh apo infermierësh. Në sistemin tonë shëndetësor punojnë 12 397 infermierë, që paguhen 51 000 lekë nga 36 000 lekë që paguheshin vetëm katër vite më parë. Që në vitin e parë të qeverisjes sonë, me heqjen e taksës së sheshtë ne kthyem taksën e ndershme dhe që në vitin e parë të qeverisjes sonë infermierët paguajnë më pak taksa dhe marrin në dorë dhe rrogën e 13-të neto”.

“Portali ‘Infermierët për Shqipërinë’ është një instrument tjetër i rëndësishëm me të cilin janë punësuar në sistemin shëndetësor 592 infermierë, figurojnë 1400 në kërkim të një vendi pune në profesionin e tyre – infermierë. Kemi trashëguar një problem serioz, mungesën e specializantëve, falë vendimeve të marra nga qeveria paraardhëse, pasi mbylli specializimin. Kjo krijoi boshllëk të madh. Sot jemi në vitin e katërt të specializimeve, pasi ne e rihapëm dhe në vitin 2019 do të kemi 300 specialistë të rinj, që do të thithen menjëherë nga sistemi. Kemi disa raste mjekësh specialistë, që janë kthyer nga jashtë vendit për të punuar në spitalet tona. Kemi dhe mjekë specialistë nga Tirana që nuk ikin jashtë vendit, por që ikin në spitale në rrethe. Pasi qeveria për t’ju kundërpërgjigjur tendencës së infermierëve për t’u larguar, apo për t’u grumbulluar të gjithë në Tiranë, prandaj dhe ne kemi vendosur 2.5 milionë euro shpërblim në rrethe mbi pagën fikse, duke motivuar punësimin e infermierëve dhe mjekëve në rrethe me një pagë sa ajo që përfitonin jashtë vendit”, – tha Rama.

Ai përmendi dhe check-up-in falas. “Për check-up-in bën mirë që nuk flet, sot populli nuk paguan asnjë lek për t’u kontrolluar, dje paguante 81 000 lekë. Organizata Botërore ka thënë që është shumë mirë futja e check-up-it. Këtë nuk e kam thënë as unë dhe as Ministrja, por Organizata Botërore e Shëndetësisë”, vijoi Rama. /ATSH

Shfaq komentet
comments powered by Disqus
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat
Sondazh
test