Afrim Krasniqi: Vetting-u politik, i pazbatueshëm për momentin

Shqipëria

Afrim Krasniqi: Vetting-u politik, i pazbatueshëm për momentin

Më: 27 shtator 2018 Në ora: 15:50
Afrim Krasniqi

Afrim Krasniqi, politolog dhe drejtues i Institutit për Studime Politike, ishte i ftuari i së enjtes në emisionin “Top Talk”, me gazetarin Denis Dyrnjaja.

Zoti Krasniqi analizoi aktualitetin politik të vendit, duke nisur nga vetting-u politik: “Është koncept i mirë, tezë që do të përdoret shumë në vitet e ardhshme, por në kushtet aktuale është i pazbatueshëm. Të gjithë e dinë se është vetëm aksion politik. Opozita ka gjetur një tezë që po e përdor në mënyrë politike, nëse do e përdorte në mënyrë institucionale nuk duhet të bojkotonte Parlamentin dhe duhet të ndiqte të gjitha hapat ligjore dhe kushtetuese”.

Sipas tij, politika “ka arritur një pikë ku nuk mban më”.

“Ndodhemi në një situatë kritike, ku e gjithë piramida e vlerave që ishte premtuar është e rrëzuar dhe premtimet e elitës politike nuk janë mbajtur. Jemi në krizë përfaqësimi politik dhe krize të vlerave. Kjo ka ardhur për shkak të kulturës së elitës sonë politike. Nëse analizojmë formimin e saj, elita e politikës së sotme janë të periudhës së revolucionit kulturor kinez, periudha kur individët i braktisën të gjitha vlerat e besimit dhe ndoqën parimet e shtetit komunist të asaj periudhe që ishte larg besimit në Zot dhe vlera. Bësim tërësor vetëm për partinë”, deklaroi Krasniqi.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat