Rrëfimi i ish-kryeprokurorit të Enverit: Si tentuan Kadri Hazbiu dhe Feçor Shehu të shmangnin skuadrën e pushkatimit

Shqipëria

Rrëfimi i ish-kryeprokurorit të Enverit: Si tentuan Kadri Hazbiu dhe Feçor Shehu të shmangnin skuadrën e pushkatimit

Më: 27 shtator 2018 Në ora: 18:11
Rrapi Mino

Rrapi Mino, Prokurori i Përgjithshëm më jetëgjatë i regjimit komunist në rrëfimin e tij ekskluziv për “Panorama” ka treguar rreth procesit gjyqësor ndaj grupit armiqësor të Kadri Hazbiut. Komunikimi i dënimit më vdekje në qelinë “VIP” të burgut 313 dhe deri tek tentativa që ndërmorën ish-zyrtarët e regjimit komunist për ti shpëtuar skuadrës së pushkatimit. Mino tregon takimet në qeli me Kadri Hazbiun, Feçor Shehun e të tjerë.

(Vijon nga publikimi i kaluar)

T’i rikthehemi procesit që u zhvillua në Burgun 313. Në fund të tij, keni komunikuar pretencën…
Pretencën e kam komunikuar pas një dite që ishte mbyllur procesi. U gjykua që në fund të ballafaqimit gjyqësor të bëhej një ditë pushim dhe ashtu operuam…
Një ditë pushimi për të pandehurit…
Kjo nuk ishte thjesht një ditë pushimi për të pandehurit…
[kadri-hazbiu] Mos ndoshta ju duhej të konsultoheshit me autoritetet e larta zyrtare për masën e dënimit?
Nuk kisha me kë të konsultohesha. Konsulta bazë ishte ligji dhe vetëm ligji. Pastaj unë do hidhja propozimin tim për masën e ndëshkimit. Ishte gjykata ajo që e vendoste përfundimisht. Ashtu edhe siç ndodhi.
Nuk patët asnjë takim gjatë kësaj kohe me krerët e shtetit? As me ministrin e Brendshëm nuk e biseduat si do finalizohej procesi i Kadri Hazbiut?
Unë isha prokuror i çështjes dhe nuk kisha pse të kërkoja mendime të tjera për ato që rezultuan gjatë procesit. Ndërkohë, me ministrin e Brendshëm, Hekuran Isai, kam pasur kontakte të shpeshta gjatë gjithë procesit. Hekurani i ka ndjekur hap pas hapi hetimet. Ai e drejtonte nga afër dhe me shumë impenjim tërë procesin dhe njihej i pari me të gjitha deponimet dhe dëshmitë e të pandehurve. Ka pasur takime të herëpashershme me çdo njërin prej tyre, sidomos me Kadriun dhe Fiqrete Shehun.
Atëherë, pse duhej ndërprerë procesi për ta dhënë pretencën pas një dite pushimi?
Se duhej artikuluar gjerë e gjatë akuza, duhej kopsitur baza ligjore, se bëhej fjalë për dënime kapitale. Ishte kjo një kohë e domosdoshme, sidomos për mua, por edhe për pjesëtarët e tjerë të trupës gjykuese…

Çfarë dënimesh parashikonte pretenca që kumtuat në fund të procesit?
Në pretencë propozoja dënimin me vdekje, pushkatim për Kadri Hazbiun, Feçorr Shehun dhe Llambi Peçinin. Për Mihallaq Ziçishtin kërkova 25 vjet burg, ndërsa për Ali Cenon dhe Xhevit Ismailagen diçka më pak…
Cili ishte reagimi i të dënuarve kur dëgjuan pretencën tuaj?
Ata u shprehën njëri pas tjetrit siç e përcaktonte procedura përkatëse. Deponimet e tyre të fundit duheshin regjistruar para se të jepej vendimi nga trupi gjykues. Kështu ndodhi dhe në këtë rast. I pari foli Kadri Hazbiu. Deponimi i tij ishte një shpërthim revoltues. Pastaj u çua Feçorri që përmendi të njëjtin refren, “Jam i pafajshëm”, si gjatë gjithë procesit. Ndërkohë, të tjerët, me sa më kujtohet, vunë në dukje se kishin besim te Partia që do ta gjykonte drejt për dënimin e tyre…
Ndërkohë, trupa gjykuese e vlerësoi të drejtë pretencën tuaj duke e kthyer në vendim të formës së prerë…
Patjetër që kështu do të ndodhte…
Nga salla e gjyqit, të dënuarit u kthyen në qeli. Çfarë ndodhi me ta më tej? A pati negociata të tjera për të mësuar diçka më shumë nga aktiviteti i tyre i fshehtë, siç ndodhte rëndom me të dënuarit VIP?
Ata iu drejtuan Presidiumit të Kuvendit Popullor, siç ua lejonte ligji, për t’u falur jetën. Ishte kjo mundësia e fundit që t’i shmangeshin përballjes me skuadrën e pushkatimit. Po në rastin e tyre nuk funksionoi. Përfundimisht, mbeti në fuqi vendimi i gjykatës. Që do të thoshte se pritej vetëm urdhri i ministrit të Brendshëm për të bërë ekzekutimin e tre të pandehurve…
Gjatë kohës që pritej përgjigjja e Presidiumit të Kuvendit Popullor, patët ndonjë negociatë me Kadri Hazbiun?
Unë për vete, jo. Kam dëgjuar që e ka takuar Hekuran Isai, por çfarë kanë biseduar nuk mund të them gjë.
Sipas dokumenteve, ju i keni njohur të pandehurit me përgjigjen e Presidiumit të Kuvendit Popullor te vendi i ekzekutimit…
Ashtu ka qenë. Aty jam takuar për herë të fundit me ta…
Vijon...

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat