"Do të të fusim plumbin në gojë", kërcënohet gazetari investigativ dhe familja e tij

Shqipëria

"Do të të fusim plumbin në gojë", kërcënohet gazetari investigativ dhe familja e tij

Më: 27 shtator 2018 Në ora: 18:58
Artan Hoxha

Gazetari investigativ Artan Hoxha, thotë se që prej ditës së djeshme familjes së tij i janë dërguar mesazhe kërcënuese në Facebook, ndërsa vetëm gjysmë ore para se të dilte live në emisionin "45 Minuta" në Report Tv, i ka mbërritur një mesazh në celular me tekst: "Ty do të të fusim plumbin në gojë".

Historia e kërcënimeve lidhet sipas tij me ngjarjen që shpërthue në mediat shqiptare, të rrëfimit nga Zvicra që bëri ish-oficeri Emiljano Nuhu duke thënë se është kërcënuar me jetë për të mos hetuar djalin e deputetit socialist të Krujës, Rrahman Rraja, i kallëzuar nga ish-e dashura e tij për dhunë, tentativë përdhunimi dhe përndjekje.

Gazetari ka treguar se kërcënimet janë të njëjta dhe vijnë nga e njëjti person. Gazetari tha se ish-kryeministri Sali Berisha, është i pari që sulmon dhe akuzon mediet dhe gazetarin personalisht, duke mos lejuar që të ketë një mbrojtje për gazetarët.

"Jam kërcënuar, familja ime që prej ditës së djeshme është nën panikun e kërcënimit. Familja ime është kërcënuar me mesazhe në Facebook.  Por mua nuk më është përgjigjur shteti. I kam denoncuar me emra dhe mbiemra. Unë denoncoj me emra, jo si qytetari dixhital. Jetoj në një shtëpi 56 metra katrorë. Pse s’di unë të shkoj të kërkoj azil, po dinë këta që duan të rrëzojnë Edi Ramën nga azili.

Prandaj thashë se tek ai muri i ministrisë ku protestojnë artistët për Teatrin janë 252 yje, dëshmorë të atdheut që kanë dhënë gjakun në luftë me krimin. Krimi nuk luftohet duke kërcënuar mua në Facebook.

Jam kërcënuar dhe dora dallohet është e njëjta mendje dhe i njëjti tru. Kujt t’i ankohem unë kur Berisha më ka kushtuar 6 statuse duke më akuzuar për banda, krim dhe vrasje. Ai e bën haptazi dhe publikisht. Kur unë dal dhe them që në 2015-ën se është mbjellë drogë. Unë që jam denoncuesi, akuzohem se kam vrarë. Ky që ka xhenazen tek dera. Si të ruhemi ne nga militantët partiakë, majtas dhe djathtas.  Mua një nga mesazhet që më erdhi sot ishte para se të hyja në emision: Ty do të të fusim plumbin në gojë. Kjo është fryma që ka krijuar kjo klasë politike, këto dallavere të ndyra politike", tha Hoxha.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat