Bisedimet e Shqipërisë me BE-në, nis vlerësimi i legjislacionit

Shqipëria

Bisedimet e Shqipërisë me BE-në, nis vlerësimi i legjislacionit

Më: 27 shtator 2018 Në ora: 19:52
Delegacioni shqiptar

Shqipëria nisi sot në Bruksel takimet me Komisionin Europian në kuadër të procesit të vlerësimit të të gjithë kuadrit legjislativ shqiptar, sipas drejtimeve që lidhen me 35 kapitujt e bisedimeve dhe përputhshmërinë e tij me atë të BE-së. Siç dhe kanë shpjeguar përfaqësuesë të lartë të BE-së nga “cilësia e këtij procesi do të varet dhe ritmi me të cilin do të ecin më pas bisedimet për anëtarësim”.

Delegacioni shqiptar, në përbërje të të cilit kishte përfaqësuesë nga institucione të ndryshme të vendit, kryesohej nga ministrja e Drejtësisë Etilda Gjonaj. Në fjalën e saj në fillim të takimit ajo theksoi se “pjesëmarrja e Shqipërisë në këtë tryezë do të rrisë presionin pozitiv për të ecur më shpejt në rrugën e reformave dhe për të rritur përgjegjshmërinë e Qeverisë në drejtimin e këtyre proceseve. Nga ana tjetër Komisioni Europian do te ketë më shumë kontroll në proceset e reformave, nga ana ligjore dhe politike”.

Takimi i cili vijon edhe nesër është i pari i një serie takimesh që do të zhvillohen me Komisionin Europian për kapituj të ndryshëm të negociatave të anëtarësimit. Ai kishte në qendër “Kapitullin 23” të negociatave të anëtarësimit “Gjyqësori dhe të Drejtat Themelore”, i cili do të jetë dhe kapitulli me të cilin do të nisin bisedimet për anëtarësim.

Takimet e shpjegimit të legjislacionit të BE dhe të ekzaminit të shkallës së përputhjes së legjislacionit të vendit kandidat normalisht zhvillohen pas hapjes zyrtare të negociatave. Fillimi i këtij procesi u bë i mundur në sajë të vendimit të Këshillit të Ministrave të BE në qershor, i cili përcaktoi rrugën për hapjen e negociatave me Shqipërinë dhe autorizoi Komisionin për fillimin e punës përgatitore.

Në ndërkohë, siç përcaktohet dhe në rekomandimet e Këshillit, “Shqipëria duhet të konsolidojë më tej përparimin në Reformën në Drejtësi dhe të dëshmojë rezultate të prekshme në luftën kundër korrupsionit në të gjitha nivelet dhe në luftën undër krimit të organizuar, në veçanti ndaj kultivimit dhe trafikut të drogës, duke ruajtur dhe thelluar ritmet e tanishme”. Sipas Këshillit “përparimi i Shqipërisë do të duhet të monitorohet nga afër nga Komisioni Europian i cili do të ofrojë vlerësimin e tij në bazë të raportit të përvitshëm”, ndërsa saktësohet se “vendimi për hapjen e bisedimeve do të duhet të miratohet nga Këshilli dhe do të pasohet menjëherë me pas më Konferencën e parë ndërqeveritare brenda fundit të 2019, në bazë të përparimit të bërë”./voa

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat