Banka e Shqipërisë/ Raporti: Nga depozitat “fluturuan” 158 milionë euro në gjashtë muaj

Shqipëria

Banka e Shqipërisë/ Raporti: Nga depozitat “fluturuan” 158 milionë euro në gjashtë muaj

Më: 29 shtator 2018 Në ora: 07:44
Banka e Shqipërisë

Gjatë gjashtë muajve të parë të vitit, depozitat e shqiptarëve nëpër banka u rudhën me 1.7%, ose rreth 20 miliardë lekë, në nivelin 1.146 miliardë lekë. Rënia është raportuar në të gjitha llojet e depozitave, sipas monedhës, sektorit dhe produktit, përveç depozitave pa afat, të cilat u rritën me rreth 3%. Rënia më e madhe është regjistruar në depozitat me afat, depozitat e individëve dhe depozitat në valutë, të cilat u tkurrën me përkatësisht 15, 19 dhe 15 miliardë lekë.

Pesha e depozitave në valutë në totalin e depozitave qëndroi e pandryshuar gjatë periudhës, duke shënuar nivelin 52.9% në fund të muajit qershor. Mosndryshimi i peshës tregon për rritjen e depozitave në valutat origjinale, pavarësisht ndikimit pakësues të mbiçmimit të kursit të këmbimit të lekut në kundërvlerën totale të depozitave në valutë, gjatë periudhës. Mbiçmimi i lekut ndaj valutave kryesore ka dhënë një efekt pakësues prej 31 miliardë lekësh gjatë gjashtëmujorit të parë të vitit, dhe prej rreth 33 miliardë lekësh në terma vjetorë. Pa efektin e kursit të këmbimit, depozitat në valutë do të ishin rritur me 16 miliardë lekë gjatë periudhës dhe me 36 miliardë lekë ndaj një viti më parë. Ndërkohë, në monedhë origjinale, depozitat në euro, të cilat përbëjnë rreth 85% të depozitave në valutë, janë rritur me 110 milionë euro gjatë periudhës, dhe me 210 milionë euro ndaj një viti më parë ose me përkatësisht 2.9% dhe 5.6%.

Kredia
Nga ana tjetër, edhe kredia e re dhënë nga sektori bankar, gjatë periudhës, ka shënuar rënie, duke qenë 12% më e vogël në krahasim me gjashtëmujorin e kaluar, në vlerën 124 miliardë lekë. Rënia e kredisë së re është përcaktuar tërësisht nga tkurrja e kredisë së re për bizneset (me 16%, në vlerën 95 miliardë lekë), ndërkohë që, kredia e re për individët ishte disi më e lartë nga periudha e kaluar.

Një lëvizje pozitive shënohet në drejtim të kredive të këqia. Gjatë periudhës, stoku i kredive me probleme zbriti me 3%, në nivelin 77 miliardë lekë. Që prej muajit dhjetor 2017 janë shlyer rreth 9.5 miliardë lekë kredi me probleme dhe janë fshirë rreth 3.1 miliardë lekë kredi të humbura, të përfaqësuara kryesisht nga kreditë e bizneseve në lekë. Raporti i kredive me probleme ndaj totalit shënoi 13.3% në fund të periudhës, duke mos ndryshuar ndaj fundit të vitit 2017, por duke rënë me 2.2 pikë përqindje ndaj një viti më parë. Kredia e klasifikuar si “e humbur” vijon të zërë peshën kryesore të kredive me probleme (50%), por pesha e kësaj klase ka rënë me rreth 9 pikë përqindje që nga muaji dhjetor i vitit 2017.

Borxhet
Banka e Shqipërisë ka organizuar vrojtimin e gjendjes financiare dhe huamarrjes së familjeve mbi një kampion rastësor prej 1.209 familjesh, rreth 56% e të cilave jetojnë në zonat urbane dhe 44% në zonat rurale të vendit. Gjatë gjashtëmujorit të parë të vitit 2018, numri i të punësuarve në kampionin e vrojtuar ka shënuar rënie në terma vjetorë, kryesisht nga rënia e punësimit në sektorin shtetëror, ndërkohë që numri i të punësuarve në sektorin privat dhe i të vetëpunësuarve ka rezultuar në rritje.

Rreth 28% e familjeve deklaruan se kanë hua për të paguar dhe kjo peshë ka mbetur e njëjtë krahasuar me gjashtëmujorin e kaluar dhe me një vit më parë, por nën mesataren historike të vlerave të vrojtimit. Rreth 83% e saj është siguruar nga burime formale dhe 17% nga burime joformale.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat