LSI: Dhunimi i vajzës, prova se shteti është kapur totalisht nga krimi

Shqipëria

LSI: Dhunimi i vajzës, prova se shteti është kapur totalisht nga krimi

Më: 30 shtator 2018 Në ora: 19:14
LSI

Lëvizja Socialiste për Integrim dënoi “rreptë qëndrimin e kryeministrit dhe qeverisë si promovues dhe mbrojtës të dhunës dhe krimit në vend”.

Me anë të një deklarate pas arrestimit të djalit të deputetit Rrahman Rraja, LSI-ja shpërndau një deklaratë për mediat ku lexohet se “ngjarja shumë e rëndë e dhunimit të një vajzë të thjeshtë në Fushë-Krujë dhe fshehja e saj nga strukturat qeveritare, që u bënë palë me deputetët e inkriminuar në të, është provë se shteti është kapur totalisht nga krimi”.

“LSI kërkon që prokuroria të largohet nga roli i shërbëtores me shërbim të qeverisë, por të hetojë me themel dhe të çojë përpara drejtësisë të gjithë personat e përfshirë në fshehjen dhe manipulimin shtetëror të ngjarjes, qofshin këta kryeministra, deputetë, pjesëtarë të policisë, prokurorë etj. Të hetohen të gjithë veprimet e mosveprimet që sollën në këtë trajtim kriminal të çështjes duke luajtur në mënyrë flagrante me jetën dhe integritetin e një vajze të re të pambrojtur. Të hetohet sjellja skandaloze e shtetit në raport me nënkomisarin Emiljano Nuhu dhe roli i çdo personi me detyrë shtetërore që ka influencuar negativisht e ka penguar në ushtrimin e detyrës të z.Nuhu. Të hetohet nga prokuroria shpërdorimi i detyrës nga kryeministri Edi Rama, i cili ka kërcënuar e kanosur publikisht zotin Emiljano Nuhu vetëm sepse ai denoncoi të vërtetën e fshehur nga shteti. LSI është e vendosur të luftojë deri në fund për zbardhjen e këtyre të vërtetave të cilat janë tashmë para syve të çdo shqiptari. Qeverinë e zhytur deri në grykë nuk e shpëton dot asgjë dhe opozita së bashku me qytetarët do ta thonë shumë fort fjalën e tyre kundra përdhunuesve e mbështetësve të krimit të veshur me pushtet”, shprehet LSI-ja.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat