Përplasjet për shkollën, Policia: Protestues të rritur dhe fëmijë të keqpërdorur nga politika

Shqipëria

Përplasjet për shkollën, Policia: Protestues të rritur dhe fëmijë të keqpërdorur nga politika

Më: 2 tetor 2018 Në ora: 22:03
Ilustrim

Policia e Elbasanit ka reaguar lidhur me protestën e sotme në Mengël të Elbasanit, që solli edhe bllokimin e rrugës për disa orë. Në një deklaratë shpërndarë për mediat, policia thotë se protesta ishte antiligjore dhe se u përdorën fëmijë

Njoftimi i Plotë i Policisë së Elbasanit

Në fshatin Mengël të Njësisë Administrative Labinot Fushë, Elbasan, ditën e sotme rreth orës 12:00 një grup organizatorësh kanë përdorur gra e të mitur, për të bllokuar në mënyrë të paligjshme për disa orë rrugën nacionale Elbasan-Librazhd.

Fakti që u përdorën fëmijë, e detyroi Policinë të mos ndërhynte, çka solli më pas bllokimin e lëvizjes së lirë të qytetarëve.

Policia e Shtetit u bëri thirrje përfaqësuesve të protestës anti-ligjore dhe deputetit të subjektit politik Partia Demokratike Luçiano Boçi për të liruar rrugën, por pa rezultat për një kohë relativisht të gjatë.

Disa prej protestuesve të rritur, të keqpërdorur prej subjekteve politike që qëndronin pas tubimit të paligjshëm, provokuan dhe reaguan dhunshëm ndaj Policisë, e cila i procedoi dhe po referon materialet në Prokurori për ta.

Gjatë ndërhyrjes, Policia ka shoqëruar në Komisariatin e Policisë Elbasan shtetasin K.Gj., 25 vjeç, për kundërshtim të dhunshëm të forcave të rendit.

Policia e Elbasanit, duke përfituar nga rasti, deklaron me përgjegjësi se fëmija, pamjet e të cilit janë publikuar nga disa media duke pretenduar dhunimin e tij nga forcat e rendit, nuk është lënduar për asnjë moment nga Policia.

Policia u bën apel banorëve të zonës, të mos lejojnë përdorimin e fëmijëve të tyre për protesta të nxitura, për të shmangur rrezikun e shtuar apo incidentet që mund të ndodhin.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat