Rikonstruktohet ura e Golikut

Shqipëria

Rikonstruktohet ura e Golikut

Më: 4 tetor 2018 Në ora: 15:17
Ura e Golikut

Faza e parë e ndërhyrjes në urën e Golikut, monument i kategorisë së parë po shkon drejt përfundimit. Këmbët e dëmtuara po përforcohen,ndërsa po devijohet lumi për të larguar rrezikun. Drejtori i Monumenteve të Kulturës në Korçë, thotë se gërmimet klandestine për flori janë një prej shkaqeve të dëmtimit.

Ura e Golikut, Monument Kulture i kategorisë së parë po i nënshtrohet rikonstruksionit të shumë pritur për shmangien e rrezikut të shembjes.

Drejtori i Monumenteve të Kulturës në Korçë, Gjegji Koki, thotë se në këtë fazë synohet përforcimi i këmbëve të urës dhe devijimi i rrjedhës së ujit për ta mbrojtur.

Gjegji Koki: Në këtë fazë ëhstë duke u konsoliduar gjithë pjesa e këmbës, e cila është vendosur në shkëmb, riformulimi i gjithë pjesës së këmbës që është dëmtuar.Gjithashtu konsolidimi i gjithë këmbëve të urës dhe vendosja e elementëve pritës që do të devijojë rrjedhën e ujit, të cilat janë të zgjatura 23 metra linearë që do devijojnë rrjedhën e ujit dhe do të ruajnë këmbën e urës të paprekur nga prurjet që mund të ketë lumi Shkumbin.

Koki thotë se gërmimet klandestine për thesare është mes shkaqeve kryesore të dëmtimit, krahas mungesës së ndërhyrjeve për vite me radhë.

Gjegji Koki: Ura e Golikut nuk është dëmtuar vetëm si pasojë e mosndërhyrjeve restauruese në urë apo mosvëmendjes nga institucionet por është dëmtuar dhe nga dora e njeriut dhe kjo është fatkeqësia më e madhe. Klandestinë të shumtë që dëmtojnë elementët e veprave duke menduar se aty mund të ketë flori.

Në fazën e dytë të projektit do të ndërhyhet në pjesën e sipërme të urës.

Gjegji Koki: Kjo lloj ndërhyrje që është faza e parë i hap rrugën një faze tjetër që është restaurimi kapital i urës, restaurimi i të gjithë elementëve të parapetit të urës.

Por veç vlerave si Monument Kulture, ura e Golikut është vetme nyje lidhëse e 4 fshatrave në zonën e Mokrës në Pogradec.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat