“Babalja”, PD akuzon kryeministrin: Nuk u habit njeri, Rama e “parashikoi” që para 5 muajsh

Shqipëria

“Babalja”, PD akuzon kryeministrin: Nuk u habit njeri, Rama e “parashikoi” që para 5 muajsh

Më: 6 tetor 2018 Në ora: 20:56
Salianji

Askush nuk u habit nga vendimi i sotëm i prokurorisë, pasi që prej 5 muajsh Edi Rama e shpalli përgjimin e “Babales” një inskenim.

Ky ishte qëndrimi i PD-së këtë pastide, e cila ka hedhur një sërë akuzash të rënda në adresë të kryeministrit Rama, Ministrit Xhafaj dhe kryeprokures së përgjithshme Marku. Akuzat janë artikuluar nga deputeti i PD-së Salianji, i cili u shpreh se nuk do t’ja dalë dot të mbulojë një të vërtetë të madhe, faktin se vëllai i Ministrit të Brendshëm është i përfshirë në trafik droge.

Deklarata e Salianjit:

Askush nuk u habit sot nga kërkesa e prokurorisë që, nën urdhrat e regjisorit Edi Rama, zbatoi skenarin kriminal të urdhëruar prej tij 5 muaj më parë për të shpëtuar vëllanë e Ministrit të Brendshëm nga akuza për trafik droge.
 
• Që ditën e parë, Edi Rama foli për audio përgjim të sajuar. Dhe prokuroria kështu vendosi.
 
• Që ditën e parë, Edi Rama shpalli se në vend të Agron Xhafës ishte një aktor. Dhe prokuroria kështu vendosi.
 
• Që ditën e parë Edi Rama shpalli të pafajshëm Agron Xhafën nga akuza për trafik droge. Dhe prokuroria kështu vendosi.
 
Është e provuar se sa herë kapet në krim, Edi Rama arreston denoncuesit dhe jo kriminelët, duke përdorur çdo shantazh në favor të skenarit të tij kriminal.
 
Deklarimi i pafajshëm i vëllait të Ministrit të Brendshëm ka qenë qëllimi kryesor i hetimeve të prokurorisë, i paracaktuar që ditën e publikimit të skandalit nga Partia Demokratike.
 
Me urdhër të Edi Ramës, hetimi u drejtua personalisht nga vetë Fatmir Xhafaj, nën kontrollin e të cilit janë si prokurorja e përgjithshme, ashtu edhe kryeprokurorja e krimeve të rënda.
 
• Është fakt se Fatmir Xhafaj lejoi nisjen e hetimeve vetëm pasi siguroi largimin e të vëllait trafikant droge nga Shqipëria.
 
• Është fakt se Fatmir Xhafaj dhe Edi Rama nuk bënë kurrë publik rezultatin e një ekspertize private, që provonte, sipas tyre,  se Agron Xhafaj nuk ishte përfshirë në trafik droge.  
 
• Është fakt se laboratori shtetëror i Ministrisë së Brendshme italiane, i shpallur nga vetë qeveria si më i specializuari në Europë për të tilla ekspertiza, refuzoi të bëhej pjesë e skenarit kriminal të qeverisë së Edi Ramës.
 
 Hetimi provoi se prokuroria, në vend që t’i shërbejë zbulimit të së vërtetës, mbron krimin e organizuar, të lidhur direkt me qeverinë.
 
Edi Rama mund të paguajë, shantazhojë, blejë prokurorë e dëshmitarë, mund të sajojë përkohësisht prova dhe të shpikë aktorë, por nuk do t’ia dalë të mbulojë të vërtetën e përfshirjes së Agron Xhafës në trafikun e drogës.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat