Gjykatësi me vjehrrin pasanik

Shqipëria

Gjykatësi me vjehrrin pasanik

Më: 8 tetor 2018 Në ora: 15:37
Sotiraq Lubonja

Për shkak të pasurive të pajustifikuara, ishte radha e gjyqtarit të Korçës, Sotiraq Lubonja që u nxor jashtë drejtësisë nga Komisioni i Pavarur i Kualfikimit (KPK).

Lubonja nuk justifikoi dot llogarinë bankare prej 5 mijë dollarësh të djemve, dhuratën prej 4 milionë lekë të së ëmës dhe dhuratën nga vjehrri prej 25 mijë dollarësh. Por, edhe pse gjyqtari këmbënguli se ishte e ëma ekonomistja e shtëpisë dhe se vjehrri me vjehrrën kishin standard të lartë ekonomik pasi jetojnë në Amerikë, ky qëndrim nuk u konsiderua. KPK-ja gjeti të dyshimta edhe udhëtimet e shpeshta në Amerikë të gjyqtarit, udhëtime të cilat, siç duket, e kanë ndihmuar sidoqoftë për anglishten.

Por, Sotiraq Lubonja ishte gjithashtu edhe anëtar zëvendësues në Këshillin e Emërimeve të Drejtësisë, që përfundimisht ka dalë jashtë loje. Si anëtarë e kandidatë zëvendësues kanë ngelur në provimin e vetting-ut 8 prej tyre, përfshi edhe kryetarin e KED-së. Nga KED-ja janë konfirmuar në detyrë deri tani vetëm dy, që janë Vitore Tusha dhe Fatjona Memçaj, ndërsa presin për t’u kontrolluar edhe dy të tjerë. E gjitha kjo do të thotë se KED-ja është inekzistente dhe do të pritet muaji dhjetor kur asaj i përfundon mandati 1-vjeçar.

Çka do të thotë se deri në dhjetor ky institucion është në pamundësi të marrë në vlerësim kandidaturat për në Gjykatën Kushtetuese.

Gjatë ditës ishte para KPK-së edhe gjyqtarja tjetër e Korçës, Entela Prifti, e cila u vlerësua vetëm për njërin nga komponentët, atë të pasurisë, të cilat rezultuan të fshehura e të pajustifikuara. Entela Prifti njihet si një nga anëtaret e Kolegjit Zgjedhor që pas zgjedhjeve lokale të vitit 2011, i dha fitoren për bashkinë e kryeqytetit Lulzim Bashës gjatë përballjes Rama-Basha.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat