Hapja e negociatave, Bushati: 2019, një horizont i hapur me kalendar të qartë

Shqipëria

Hapja e negociatave, Bushati: 2019, një horizont i hapur me kalendar të qartë

Më: 10 tetor 2018 Në ora: 16:17
Ditmir Bushati

“Është shumë e rëndësishme që edhe klima politike në vend, krahas punës së administratës publike, të mundësojë arritjen e objektivit kombëtar për integrimin në BE”.

Kështu u shpreh Ministri i Shtetit për Europën dhe Punët e Jashtme, Ditmir Bushati në seminarin e mbajtur sot në Tiranë, “Impakti i negociatave të anëtarësimit në punën e autoriteteve dhe ministrive relevante në një vend negociues- Mësime të nxjerra nga Republika e Kroacisë”, ku ishte i pranishëm edhe Drejtori i Përgjithshëm i Zgjerimit në Komisionin Europian, Christian Danielsson.

Në fjalën e tij , ministri Bushati tha se “për ne 2019 është një horizont i hapur me kalendar të qartë, me detyra shtëpie të qarta, të cilat synojnë t’i realizojmë së bashku me ndihmën e Komisionit Europian me asistencën teknike të vënë në dispozicion të institucioneve shqiptare në mënyrë që qershori i 2019 të jetë një proces i finalizuar me fillimin e bisedimeve për anëtarësimin në BE”.

“Në këtë kontekst ne po përpiqemi dhe punojmë të kemi një narrativë kombëtare pozitive sepse është shumë e rëndësishme që edhe klima politike në vend krahas punës së administratës publike të jetë e tillë që të mundësojë arritjen e këtij objektivi kombëtar”, nënvizoi Bushati.

Ministri Bushati u shpreh se “krahas narrativës kombëtare pozitive është e shumë e rëndësishme që të kemi një narrativë rajonale pozitive. Sot për sot ne dukemi sikur jemi në tre korsi të ndryshme, në korsinë e parë Mali i Zi, Serbia duke qenë se janë në tryezën e bisedimeve për anëtarësim, Shqipëria dhe Maqedonia në korsinë e dytë duke qenë se sapo kemi nisur procesin “Screening” dhe Bosnja me Kosovën në korsinë e tretë”, .

“Javën e shkuar së bashku me presidencën austriake me ministrin e Jashtëm të Austrisë dhe ministren e Jashtme të Kroacisë së bashku me një grup ekspertësh dhe politikbërësish, diskutuam mbi mundësinë e bashkëpunimit rajonal dhe ofrimit të eksperiencës më të mirë , në mënyrë që pavarësisht korsive ekzistuese ne të kemi një narrativë edhe më të mirë rajonale në lidhje me këtë proces”, shtoi ai.

Duke folur për punën që po bëhet, Bushati tha se “punojmë për të konsoliduar dhe për të thelluar procesin e reformave sidomos në fushën e sundimit të së drejtës , çështjet që kanë të bëjnë me krimin e organizuar korrupsionin, reformën e administratës publike, me të drejtat e liritë e njeriut, mbrojtjen e pakicave kombëtare, të drejtat pronësore”.

Jemi të bindur, vijoi ai, që procesi i integrimit europian nuk ka të bëjë thjesht me disa kontakte në ministritë e linjës apo në institucione të tjera që janë prezente këtu, por është një proces që ka të bëjë me reformimin e plotë të administratës publike dhe për mënyrën se si ne duhet të funksionojmë në periudhën në vijim.

“Kemi filluar procesin e “Screening” në kapitullin 23, kemi një kalendar të qartë nga ana e Komisonit Europian për këtë proces. Është shumë e rëndësishme që krahas përgatitjes për këtë proces, angazhimet, ne të fillojmë që ti përkthejmë që tani në ligje dhe politika konkrete dhe në forcim burimesh njerëzore, për të mos pritur afatin e fundit që ka lidhje me fillimin e bisedimeve për anëtarësim”, tha Bushati.

Ministri Bushati u shpreh se “e gjithë puna jonë, koordinimi ynë i brendshëm ndërinstitcional është jashtëzakonisht një proces sfidues.

“Ne kemi analizuar disa modele dhe kemi arritur në konkluzionin se nuk ka një model që mund të shërbejë të gjitha vendeve , sepse vende të ndryshme kanë specifika të ndryshme”, theksoi Bushati.
Ministri Bushati tha se “ky është një proces ku ne synojmë të anëtarësohemi në BE dhe për pasojë duhet të përshtasim politikat, legjislacionin , mënyrën e funksionimit të institucioneve me standardet që imponohen”.

Seminari u organizua dhe financohet nga Instrumenti për Asistencë Teknike dhe Shkëmbim Informacioni (TAIEX) i Komisionit Evropian, në bashkëpunim me MEPJ.

Qëllimi i tij është evidentimi i një sërë mësimesh të nxjerra për organizimin e brendshëm ndërministror, bazuar nga përvoja e Kroacisë, si vendi i fundit që negocioi me sukses pranimin në BE. /ATSH

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat