Rama dhe Gjiknuri inspektojnë Rrugën e Arbrit

Shqipëria

Rama dhe Gjiknuri inspektojnë Rrugën e Arbrit

Më: 11 tetor 2018 Në ora: 11:29
Edi Rama dhe Damian Gjiknuri

Rruga e Arbrit është në ndërtim në pothuajse çdo kilometër të saj. Kryeministri Edi Rama dhe ministri i Infrastrukturës dhe Energjisë, Damian Gjiknuri, inspektuan ecurinë e punimeve në pjesën e rrugës që bën lidhjen me Tiranën.

Kjo nyje lidhëse, pjesë e rrugës së vjetër Egnatia dhe tashmë pjesë e rëndësishme e Korridorit 8, është një nga investimet më të rëndësishme për modernizimin e infrastrukturores rrugore të vendit.

Janë 35 kilometra dhe punohet aktualisht në 29. Kanë mbaruar dy ura, nga ura e Çerenecit e deri në Bllatë e është duke u punuar në dy ura të tjera. Nga 4 tunele, një tunel 500 metra ka mbaruar së hapuri si galeri dhe në të gjithë tunelet e tjera është duke u punuar.

Ministri Gjiknuri tha: “Meqë jemi dhe në kuadër të PPP-ve, kjo është prova e parë që po ecim me ritëm edhe më të shpejtë se sa projektet që paguhen me buxhetin e shtetit. Veprën mund ta fillosh ti, por vepra mund të shkojë dhe 10 vjet, siç kanë vajtur të mëparshme. Me këtë ritëm që kanë këta, do bëhet për aq kohë sa e kemi parashikuar”.

Ndërtimi i urave dhe tuneleve mbetet pjesa më e vështirë e kësaj vepre, e cila në përfundim do të ofrojë për të gjithë përdoruesit e saj një peizazh mbresëlënës.

“Do të jetë një rrugë e jashtëzakonshme nga pikëpamja e aseteve dhe vlerës që do krijohet në zonat rreth e rrotull. Është fantastike për agroturizëm, për bujqësi. Është Shqipëri e pazbuluar kjo pjesë”, u shpreh kryeministri.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat