Dështon ngritja e Këshillit të Lartë të Prokurorisë, ONM: Reforma në rrezik

Shqipëria

Dështon ngritja e Këshillit të Lartë të Prokurorisë, ONM: Reforma në rrezik

Më: 15 tetor 2018 Në ora: 06:41
Genoveva Ruiz Calavera

Këshilli i Lartë i Prokurorisë (KLP), një strukturë kyçe për reformën në drejtësi, është vënë në pikëpyetje, pasi interesi nga prokurorët për pjesëmarrje në të është minimalit.

Këtë fakt e pohon Shefja e Operacionit Ndërkombëtar të Monitorimit (ONM), Genoveva Ruiz Calavera.

Ajo doli me një deklaratë-apel publik për prokurorët që të aplikojnë për pozicionet vakante.

Zonja Calavera çmoi se ngritja e Këshillit të Lartë të Prokurorisë, është proces jetik për reformën në drejtësi dhe tha se konstaton se është në rrezik për shkak të mungesës së interesit nga prokurorët, ndaj kërkoi që këta të fundit të marrin pjesë në aplikimet.

‘KLP ka një rol kyç për avancimin e integrimit të Shqipërisë, ndaj bëj thirrje që prokurorët ta shfrytëzojnë këtë moment.

Këshilli luan një rol kyç në sistemin shqiptar të drejtësisë dhe në avancimin e integrimit në BE të vendit tuaj”.

Thirrja e zonjës Calavera vjen disa javë pasi më 24 shtator, Prokuroria e Përgjithshme, hapi thirrjen për vendet vakante në Këshillin e Lartë të Prokurorisë.

Por me mbarimin e afat 15 ditor, asnjë kandidat nuk shprehu interes duke bërë që procesi të dështojë.

Kjo ka shkaktuar mosngritjen e Këshillit të Lartë të Prokurorisë i cili si organ jetik për reformën në drejtësi ka për kompetencë zgjedhjen e kreut të Prokurorisë së Përgjithshme, ndërkohë që aktualisht është e komanduar Arta Marku pas shkarkimit të Adriatik Llallës.

Prokuroria e Përgjithshme njoftoi se ajo është e detyruar të bëjë edhe një herë shpalljen  vendeve vakante për në Këshillin e Lartë të Prokurorisë.

Nuk dihet nis përsëritja e thirrjes si dhe apeli publik i ONM; do të ndikojnë që prokurorët të përfshihen në procesin e përzgjedhjes.

Kohët e fundit ka pasur përplasje të forta mes prokurorëve dhe kreut të përkohshëm Arta Marku. Shkak janë bërë procese gjyqësore si dhe disa qarkullime dhe transferime prokurorësh që zonja Marku ka urdhëruar. 

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat