Darka zyrtare/ Meta ngre tre dolli Skrapari për Princin e Monakos

Shqipëria

Darka zyrtare/ Meta ngre tre dolli Skrapari për Princin e Monakos

Më: 16 tetor 2018 Në ora: 22:14
Presidenti Meta, ngriti disa dolli për Princin e Monakos

Gjatë darkës zyrtare të zhvilluar në Pallatin e Brigadave, Presidenti  Meta, ngriti disa dolli për Princin e Monakos. 

Mesohet se Meta ngriti tre dolli për nder të Princit të Monakos, Lartësisë së Tij të Përndritur, Albert II dhe miqësisë mes vendeve tona.

“Unë vij nga një qytet i jugut të Shqipërisë, që quhet Skrapar, i famshëm për rafting dhe kanionet e mrekullueshme, ku dollia është një institucion dhe njerëzit e përdorin atë për të treguar respekt dhe për të nderuar miqtë. Për këtë arsye, e shfrytëzoj këtë rast për të ngritur disa dolli këtë mbrëmje.

Dollia e parë është për Lartësinë Tuaj dhe delegacionin Tuaj. Ju na nderoni shumë me vizitën tuaj në Shqipëri.

Image

Dollinë e dytë e ngre për vendin Tuaj dhe i uroj Monakos dhe popullit monegask sa më shumë progres e prosperitet nën udhëheqjen Tuaj.

Të tretën, ia kushtoj miqësisë mes dy vendeve tona, për të cilat jam i sigurt se pas kësaj vizite do të forcohen dhe intensifikohen më tej. Dhe së fundmi, ngre një dolli për Ju, për Princeshën Charlene dhe për fëmijët tuaj binjakë, Princesha Gabriella dhe Princi Trashëgimtar Jacque. Ju uroj të gjithëve një jetë të gjatë dhe të lumtur. Gëzuar!”,  ka thënë Meta.

Nga ana tjetër Princi I Monakos ka mbantur në fjalin pas vlerësimit që i bëri Presidenti Meta, i cili e nderoi më Dekoratën e “Flamurit Kombëtar”

FJALA E PRINCIT TË MONAKOS PAS VLERËSIMIT TË PRESIDENTIT META ME DEKORATËN E “FLAMURIT KOMBËTAR”

Zoti President, zotërinj ministra, Lartësi, Shkëlqesi, të dashur miq,

Më lejoni t’ju shpreh falënderimet e mia më të sinqerta për nderin që më bëni me Dekoratën e “Flamurit Kombëtar”.

Ky vlerësim honorifik bën të njohur, ashtu sikurse ju e keni nënvizuar në dekretin tuaj, intensifikimin e marrëdhënieve ekzistuese mes vendeve tona, që u ilustrua kryesisht edhe nga firmosja sot e një memorandumi mirëkuptimi.

Ju keni theksuar gjithashtu që ky titull nënvizon veprimet që ne duhet të ndërmarrim së bashku për ruajtjen e biodiversitetit në Mesdhe e më veçanërisht të zonave detare të brigjeve shqiptare. Kjo ambicie u konkretizua nga firmosja e një partneriteti me OJQ-në “Pisha flamur”.

Jam i bindur që tërësia e fushave të bashkëpunimit që ju përmendet, Zoti President, do të mund të njohin zhvillime të frytshme që dy komunitetet tona kanë aftësinë t’i arrijnë.

Së fundmi, unë i gëzohem perspektivës së aderimit të Shqipërisë në CIESM, kësaj organizate ndërkombëtare që më shumë se kurrë na tregon dobinë e saj në ruajtjen e të mirës sonë të përbashkët.

Ky det mesdhetar, djep i njerëzimit, duhet të jetë objekt i gjithë vëmendjes sonë sepse ai është garanti i të ardhmes sonë dhe vulos fatin e përbashkët të tërësisë së vendeve që e kufizojnë atë.

Shpreh urimin që kjo trashëgimi e përbashkët të jetë në vitet e dekadat e ardhshme një vektor paqeje e mirëkuptimi të përbashkët.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat