U sorollatën për 7 muaj, bashkëqeverisja i siguron legalizimin e banesës familjes nga Divjaka

Shqipëria

U sorollatën për 7 muaj, bashkëqeverisja i siguron legalizimin e banesës familjes nga Divjaka

Më: 17 tetor 2018 Në ora: 14:50
Ilustrim

Platforma e bashkëqeverisjes i vjen në ndihmë edhe qytetarëve shqiptarë që nuk jetojnë në Shqipëri. I tillë ishte rasti i familjes Doko që jetonte në Itali dhe për 7 muaj me radhë nuk arrinte të legalizonte dot banesën dykatëshe në Divjakë.

Ky rast suksesi u prezantua sot në takimin javor të Kryeministrit Edi Rama me qytetarët që kanë marrë zgjidhje nga platforma e bashkëqeverisjes.

Pasi familjarët e tyre ishin sorollatur në dyert e ZVRPP Lushnje, ata iu drejtuan platformës shqiperiaqeduam.al dhe brenda 10 ditëve tërhoqën lejen.

Kryeministri Rama tha se nuk mjaftoi vetëm zgjidhja e problemit, por nisën gjithashtu hetimet administrative për punonjësit e zyrës në Lushnje që kishin neglizhuar çështjen.

“Platforma jo vetëm funksionon por po sot, siç është tanimë e përcaktuar çdo javë Ministrja e Drejtësisë që drejton edhe Task Forcën e Antikorrupsionit do të bëjë publike masat. Sepse ju e keni zgjidhur çështjen, por pasi çështja juaj është zgjidhur ka filluar një hetim administrativ në hipotekën e Lushnjes”, tha Rama.

Pas zgjidhjes së një çështje, Kryeministri theksoi se “ne kërkojmë të dimë pse dhe kush e ka penguar këtë zgjidhje”. “Janë çdo javë masa administrative, deri dhe penale për punonjësit dhe drejtuesit në zyra që bëhen shkaktarë në vonesat e paparashikueshme për dhënien e shërbimit për qytetarët”, tha Rama.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat