“S’ka baste online dhe as në periferi, kazino vetëm në resorte turistike me 5 yje”

Shqipëria

“S’ka baste online dhe as në periferi, kazino vetëm në resorte turistike me 5 yje”

Më: 18 tetor 2018 Në ora: 12:26
Edi Rama

Të gjitha kazinotë, bastet sportive, edhe ato online, do të mbyllen deri më 1 janar të 2019-ës. Kryeministri Rama tha se nuk do të ketë zhvendosje të tyre në zona periferike, dhe se të vetmet që do të mund të jenë hapur, janë kazinotë në hotele dhe resorte me 5 yje, edhe këto vetëm në zona turistike.

Nga 1 janari i vitit 2019, pritet që në Shqipëri të mbyllen të gjitha ambientet me baste sportive dhe kazino. Shumica prej tyre janë aktualisht në zona të banuara, të përhapura masivisht, e fatkeqësisht kanë “rrëmbyer” prej vitesh interesin e shqiptarëve derisa arrin në një varësi të frikshme.

Por ndërsa kjo nismë e qeverisë, u argumentua fillimisht si një zhvendosje e lojërave të fatit, nga zonat e banuara në ato periferike, këtë të enjte nga salla e Parlamentit, kryeministri Edi Rama tha se NUK ka zhvendosje të lojërave të fatit në periferi dhe asnjë lëshim në asnjë hapësirë tjetër.

Kazinotë elektronike nga 1 janari i vitit të ardhshëm do të jenë vetëm në hotele dhe resorte me 5 yje. Sipas kreut të qeverisë, do të jenë zona specifike të këtyre resorteve, veçanërisht në zona të definuara për turizëm, të përcaktuara qartë sipas vendimit të qeverisë.

“Edhe atyre që janë të sëmurë nga marrëdhënie me fatin u japim një dhuratë të shumëpritur dhe terapeutikisht të domosdoshme me rastin e vitit të ri, mbylljen e kazinove, basteve sportive, që nga ndeshjet e futbollit deri te garat e çdo lloj katërkëmbëshi të faunës botërore dhe të basteve online.

Në 1 janar nuk ka më asnjë lloj basti, kazino elektronike në asnjë zonë të banuar. Janë bërë spekulime edhe me kazinotë elektronike, nuk ka asnjë spostim në periferi, ato do të jenë të mundura vetëm për hotelet dhe resortet me 5 yje në zonat e definuara me VKM dhe autoriteteve përkatëse, si zona turistike.

Lideri legjendar i PD ka marrë anën e basteve duke e vënë tabelën e tij të fletërrufeve dixhitale në dispozicion të shpifësve dhe fushatës shpifjesh që organizohet nga krimi i organizuar që financon një pjesë të madhe të kësaj veprimtarie.

Qysh kur nisëm ndarjen nga tepsia kemi nisur dhe punën për t’i dhënë fund kësaj beteje, të vështirë dhe gjatë të cilës kemi pasur dhe ne dështimin tonë kur nuk arritëm dot në këtë sallë t’i japim fund kazinove elektronike, por vetëm të shtyjmë afatet për mbylljen e tyre për fundin e këtij viti.

Ne dimë më tepër se kaq për këtë ofensive, për lodhjet e atyre që shkojnë banak më banak për të kundërshtuar në mënyrë hileqare këtë masë, duke e fokusuar sulmin tek medemek një monopol online, por që janë të lidhur direkt me interesat që kulmojnë në qelitë e burgut të sigurisë së lartë në Tiranë”, u shpreh kreu i qeverisë nga foltorja e Kuvendit.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat