Preket territori shqiptar nga 12 miljet greke? Ministria e Jashtme sqaron

Shqipëria

Preket territori shqiptar nga 12 miljet greke? Ministria e Jashtme sqaron

Më: 20 tetor 2018 Në ora: 16:40
Bushati-Kotsias

Pas deklaratave të ish-ministrit grek Nikos Kotzias për zgjerimin me 12 milje të hapësirës territoriale detare, Ministria e Jashtme sqaron nëse preken ishuj shqiptarë në gjirin e Sarandës.

Jo zyrtarisht, Ministria e Jashtme sqaron se nga ky veprim, nuk preken ishujt shqiptarë.

Sipas MPJ-së: “Çështja e zgjerimit të gjerësisë së detit territorial të Greqisë është një çështje e së drejtës ndërkombëtare e cila ia njeh këtë mundësi të gjithë shteteve, ashtu siç edhe Shqipëria e ka bërë një gjë të tille prej vitesh.

Por distanca e 12 miljeve nuk zbatohet në gjirin e Sarandës apo në zonat e tjera të detit territorial mes dy vendeve, pasi distanca në këto zona është nën 12 milje”.

Burimet nga Ministria e Jashtme thanë për Panorama se: “Parimi i 12 miljeve mund të aplikohet vetëm në rastet kur deti territorial i një shteti nuk mbivendoset me detin territorial të shtetit fqinj ku distanca është më e vogël se 24 milje”.

Debati publik mbi parimin e 12 miljeve

Burime nga Ministria e jashtme theksuan më tej se: “Neni 3 i konventës për të drejtën e detit u njeh shteteve të drejtën e shpalljes së detit territorial deri në 12 milje detare, por kjo e drejtë duhet të shprehet me ligje të brendshme dhe këto ligje duhet te depozitohen ne OKB.

Nga ana e saj Greqia me ligjin e saj të brendshëm Nr. 230 të vitit 1936, ka shpallur gjerësinë e detit të saj territorial deri në 6 milje detare. Pas bërjes palë e konventës në vitin 1995, Greqia ka shprehur synimin për të zgjeruar në të ardhmen detin territorial nga 6-12 milje detare”.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat