Analiza e Zhejit: Shpejt do dalin detaje tronditëse, ose grekët do të kujdesen…

Shqipëria

Analiza e Zhejit: Shpejt do dalin detaje tronditëse, ose grekët do të kujdesen…

Më: 22 tetor 2018 Në ora: 12:43
Artur Zheji

Nga Artur Zheji*

Bën vetëm fushatë KM-ja. Askush nuk e di se kur qeveris, tanimë nuk dalin as edhe kronika kur dhe çfarë diskutohet në mbledhjet e Këshillit të Ministrave, por askujt nuk i bëhet vonë, Shqipëria edhe vetëqeveriset.
Del ekraneve në prime time, edhe dy herë në javë, dhe vetëshpallet viktimë e sulmit të Opozitës dhe e gazetarëve, vetëshpallet si vërtetathënës dhe tërë ata që e kundërshtojnë, janë shpifës dhe gënjeshtarë.
Bën papushim fushatë zgjedhore dhe eksperimenton si një argëtues që ka vetëzbuluar në moshë të madhe talentin e aktrimit, që bën për të qeshur, ndërkohë që shërbimet tregojnë se Shqipëria është në të vërtetë një rrumpallhane dhe një han pa porta.
Është padyshim, në mënyrë të vetëshpallur, më i dituri, shkronjësi më i mirë dhe më elokuenti, i vetëshpallur gjithashtu, edhe vazhduesi pa ndërmjetës i Fan Nolit dhe Konicës. Mirëpo ndërkohë që KM-ja argëtohet studiove televizive, skandali që vetëplasi nga Athina, falë ministrit Kammenos, rrëfeu edhe njëherë se çfarë jo Shteti ka Shqipëria, se çfarë jo Shërbimesh Sekrete ka Qeveria Shqiptare.

Kjo qeverisje që qyfyroset në Tv dhe që bëhet tapë darkave në lokalet në të shtrenjta me verërat më të shtrenjta dhe bën në darkë hesapet e plaçkës së nesërme, që stërviten me skema se si të bythëlëpijnë më me art, menderen dhe trurin e lodhur të Kryeshefit, pa ditur se si qeveriset një Shtet dhe aq më tepër si mbrohet Siguria Kombëtare.

45 milionë euro në një periudhë të shkurtër për të manipuluar shqiptarët, për Marrëveshjen e Detit, të dorëzuara në të zezë me zarfe.
Dhe të gjithë ata që kanë sadopak mendje, hamendësojnë se kjo është vetëm maja e ajsbergut e parasë së madhe që qarkullon nën hundën e shtetit, që qeveriset nga të papërgjegjshmit.
Por shqiptarët, që shumica e tyre në të vërtetë është me valixhet e largimit nga Atdheu, në gatishmëri, mund të hanë kokoshka dhe të shohin KM-në, që ankohet dhe shtiret si i detyruar nga “shpifësit”, të shtrojë krevatin në Tv, një vrasës i kohës së dobishme për të qeverisur me sy hapur, për të cilin ka marrë apo rrëmbyer votat.
Në çdo vend të botës, pas një lajmi të tillë, si ky që erdhi nga Athina, krejt një Vend do të kishte mbajtur frymën dhe do të kishte ndrruar çdo axhendë.
Po KM-ja, jo vetëm nuk bën asnjë koment për këtë superngjarje, kur bën makiazhin televiziv të rradhës, sikur asgjë ska ndodhur.
Sigurisht që nuk jemi vend serioz, por bëhemi edhe më jo seriozë kur argëtohemi me KM-në që është në krye të shtetit, që nuk kemi dhe që nuk është…
Por shpejt do dalin detaje tronditëse, ose vëllezërit grekë, do të kujdesen ta mbyllin me shpejtësi, kapakun e kutisë së Pandorës, të agjenturave të paguara në qeveri dhe media.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat