Rama dhe Basha përplasen për “peshqit e mëdhenj”

Shqipëria

Rama dhe Basha përplasen për “peshqit e mëdhenj”

Më: 22 tetor 2018 Në ora: 15:50
Edi Rama dhe Lulzim Basha

Lideri demokrat Lulzim Basha dhe kryeministri Edi Rama janë përplasur në distancë sa i përket megaoperacionit të prokurorisë dhe policisë që vuri në pranga 27 persona, pjesëtarë të grupeve kriminale kryesisht në trafikun e drogës, ndërsa 6 të tjerë u shpallën në kërkim.

E diela nuk ishte një ditë e zakonshme për Policinë e Shtetit, pasi në mbrëmje u vunë në pranga edhe dy ish-deputetë të Partisë Socialiste. Arben Çuko, ish-drejtor i Burgjeve akuzohet për marrjen e ryshfetit për transferimin e një të burgosuri, ndërsa kolegu i tij në PS, Arben Ndoka për përvetësim prone përmes falsifikimit të dokumenteve. Rama përgëzoi policinë dhe prokurorinë për këto aksione, por lideri demokrat Basha e pa të gjithë këtë, si një shfaqje dhe propagandë të qeverisë për të hequr vëmendjen nga ata që ai i quan peshq të mëdhenj. Dhe sipas Bashës, peshk i madh nuk është as Çuko as Ndoka. Peshku i madh për kryedemokratin, ka emrin e kryetarit të Bashkisë së Durrësit, Vangjush Dakos.

“Peshku i madh i kësaj çështje quhet Vangjush Dako, të tjerët janë përpjekje për të shpëtuar Dakon, për të shkatërruar hetimet që duhet të çojnë një orë e më parë në arrestimin e Dakos. Kjo është një nga dosjet që ka marrë përsipër të shkatërrojë Donika Prela”, – tha Basha duke ju referuar drejtueses së Prokurorisë për Krime të Rënda e cila këtë të hënë doli në një konferencë të përbashkët për media, me drejtorin e Policisë Ardi Veliu dhe ku foli pikërisht për arrestimin e dy ish të majtëve.

Basha foli për një skenar të mirëfilltë, kur tha se këto arrestime janë bërë që ish-zyrtarët të lirohen më tej dhe akuzat tu lehtësohen. “Kjo është përpjekje  propagandistike për ta shfryrë dosjen Dako me ndonjë peshk të ngordhur”, përfundoi Basha.

Por nuk vonoi shumë dhe kryeministri Edi Rama ju përgjigj këtyre akuzave.

Një postim në Twitter, me pak reshta, shpreh atë që Rama e quan luftë deri në fund me krimin dhe korrupsionin.

“Shpif shpif se lirohesh, i thonë një llafi, po s’ka më peshk se rob jo e jo, që s’e ka marrë vesh se sulmet vulgare ndaj prokurorisë vijnë nga dhimbjet e forta të kokës për çështjet e hapura me drejtësinë!Lufta me krimin e me korrupsionin vetëm do të përshkallëzohet deri në fund“, shkruan kreu i qeverisë në rrjetet sociale.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat