KQZ trajnime me votues për herë të parë në Qarkun e Kukësit

Shqipëria

KQZ trajnime me votues për herë të parë në Qarkun e Kukësit

Më: 23 tetor 2018 Në ora: 15:20
Pamje nga trajnimi

Qarku i Kukësit ka qenë zona e përzgjedhur nga KQZ  për të nisur sesionin e edukimit dhe trajnimit për zgjedhjet me votues për herë të parë dhe punonjës të administratës së organeve të qeverisjes vendore.

Komisioni Qendror i Zgjedhjeve në ditën e parë, me mbështetjen e Drejtorisë Arsimore Rajonale Kukës, KQZ u takua me nxënësit e shkollës së mesme “Havzi Nela”, Kukës dhe me nxënësit e shkollës së mesme në Bicaj, të cilët në zgjedhjet që do të mbahen në vitin 2019 do të jenë votues për herë të parë.

Sesioni i edukimit me temë “Vota dhe vlera e saj në demokraci” u zhvillua në formë bashkëbisedimi dhe të rinjtë u informuan mbi aspektet e përgjithshme të procesit zgjedhor, ku vëmendje e veçantë iu kushtua veprave penale që cenojnë zgjedhjet e lira dhe demokratike. Simulimi i procesit të votimit i njohur të rinjtë me procedurat korrekte të votimit.

Gjithashtu, KQZ zhvilloi takim në bashkinë e Kukësit, ku të ishin nënkryetari i bashkisë, Dileman Nela dhe drejtues të administratës, të cilët pjesë të kompetencave të tyre kanë edhe detyrat që Kodi Zgjedhor ju ngarkon në funksion të administrimit të procesit zgjedhor.

Hartimi i listave të zgjedhësve, përgatitja e infrastrukturës për ngritjen e qendrave të votimit, si edhe krijimi i kushteve infrastrukturore për personat me aftësi të kufizuara ishin disa nga tematikat e trajtuara gjatë takimit.

Në ditën e dytë,  KQZ i vijoi sesionet e edukimit me maturantët të tre shkollave të mesme të rrethit të Tropojës, shkollën e mesme “Asim Vokshi” në Bajram Curri shkolla e mesme e Fierzës dhe Tropojës së Vjetër.

Aktiviteti u organizua në bashkëpunim dhe me mbështetjen e Zyrës Arsimore Rajonale të Tropojës dhe të rinjtë u sensibilizuan për rëndësinë që ka vota e lirë, e fshehtë dhe e pandikuar në zhvillimin e proceseve demokratike për të ardhmen e vendit.

Ndërkohë, sesion trajnimi u zhvillua edhe me Administratën e Bashkisë së Tropojës ku e pranishme ishte edhe nënkryetarja e bashkisë,  Feride Rrahmanaj.

Në fokus të takimit ishin detyrat që Kodi Zgjedhor i ngarkon organeve të qeverisjes vendore në funksion të përgatitjes dhe administrimit të procesit zgjedhor. /ATSH

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat